Kur Edon Zhegrova u njoftua për mungesën e tij në skuadrën e Juventusit për Evropë, kosovari jo vetëm që e pranoi por mori edhe një vendim: për disa orë, madje për disa ditë, e imagjinoi veten diku tjetër. Ishte hera e parë dhe shpejt u bë hera e fundit. Në momentin që u bind të largohej, pas një vere të kaluar duke u shtyrë drejt largimit në çdo mënyrë të mundshme, për Zhegrovën tashmë ishte tepër vonë. Ofertat joshëse nuk ishin më në tavolinë, madje as ato nga Arabia Saudite, pavarësisht se i kishin dhënë kohë të vështirë në negociata para se Al Ittihad të tërhiqej.
Dhe pavarësisht se sa shumë mundohej Zhegrova, trajneri Luciano Spalletti nuk e shihet në Juventusin e tij. Preferenca për Nico Gonzalezin, pamundësia për t’u ndarë nga Conceiçaoi brenda asaj vendosjeje taktike dhe paqëndrueshmëria e treguar në të kaluarën, e shtynë trajnerin t’i qëndronte besnik opsioneve të dëshmuara, duke e lënë Edonin mënjanë.
Me keqardhje, ndoshta, por me vendosmëri.
Në fillim ai nuk e priti mirë. Shkaktoi zhgënjim, me të drejtë. Trajneri e kuptoi këtë dhe gradualisht e riintegroi, derisa u bë e pashmangshme mbështetja në të. Pjesërisht për shkak të lëndimeve, por kryesisht për shkak të cilësisë që tregoi. Jo vetëm kundër Sassuolos, por sidomos kundër Sassuolos.
“Ai i ka këto cilësi, bëhet i pandalshëm dhe i paparashikueshëm kur krijon këto situata një kundër një në hapësira të ngushta. Sigurisht, ndonjëherë e mban topin më gjatë se që duhet dhe nuk shërbeu Kalulun, i cili po bënte vrapim drejt portës. Kjo ndodhi në fillim kur kaloi dy lojtarë. Por ai kaloi dy mbrojtës dhe kjo bie në sy”, ka thënë Spalletti pas ndeshjes së luajtur të dielën mbrëma.
Pra këto cilësi nuk janë të padukshme. Por që një lojtar të jetë i kompletuar duhet çdo gjë: vullneti, qëndrueshmëria dhe aftësia për të pasur ndikim edhe kur situata duket e pashpresë.
Kjo është arsyeja pse duhet pasur kujdes nga euforia fillestare apo iluzionet e lehta: nuk është se Zhegrova është i destinuar të bëhet ikonë, se është asgjë dhe do të bëhet çdo gjë. Ai është një opsion. Dhe ka një lehtësim, sidomos për lojtarin e krahut. Ai barazoi dy herë rezultatin ndaj Sassuolos, madje duke u qortuar nga stoli pse nuk e dërgoi menjëherë topin në qendër të fushës, për ta gjetur veten si një “gjysmë-hero”.
Ishte i lumtur për veten, por me atë lloj lumturie që ka pak vlerë nëse nuk mund të ndahet me të tjerët. Ishte pikërisht kështu. Kjo është edhe arsyeja pse mesazhi që publikoi në rrjetet sociale pas dy golave të parë, ishte me shije të përzier.
“Është për të ardhur keq që golat e mi nuk sollën fitoren, por ne vazhdojmë të luftojmë për më shumë. Kam pritur për këtë moment që të shënoj me këtë klub”.
Ky klub praktikisht e humbi dhe e gjeti sërish. Ai vendosi të mos largohet, pavarësisht ditëve kur kokën e kishte më të ngarkuar se këmbët, me gjithë qartësinë e Spallettit për hapësirën e tij. Dukej po ashtu që nuk kishte rrugë të hapur. Dhe pastaj u shfaq një rrugë.
Në këtë pikë nuk ka kufij për atë që mund të bëjë Edon Zhegrova. Më e lehta është që ai të lirohet nga çdo gjë tjetër: nga nevoja për të dëshmuar veten, nga obligimi për të pasur ndikim dhe nga barra e marrjes së vendimeve në momentet e fundit, thuajse gjithnjë në situatat ekstreme.
Por cila është vlera e vërtetë e dy golave ndaj Sassuolos?
Do të ishte gabim të rrëmbeheshim nga emocionet, por do të ishte po aq gabim të mos besonim./Tuttosport