Pavarësisht fitores 2:0 të Anderlechtit ndaj Ninoves të martën mbrëma, tifozët e skuadrës së madhe belge i kanë kërkuar Besnik Hasit dorëheqjen.
Hasi ka folur për këtë çështje, ndërsa ka thënë se nuk po e mendon një gjë të tillë aktualisht.
Anderlechti nuk e ka nisur mirë sezonin në elitën e futbollit të Belgjikës dhe është në vendin e pestë.
“E kuptoj zemërimin e tyre. Ne nuk po paraqitemi ashtu si ata duan. Ishim në formën më të mirë të mundshme në 20 minutat e para. Bënim lëvizje, kishim shpejtësi dhe realizuam gola të bukur. Pas asaj, ne u ndalëm dhe donim ta kishim kontrollin e lojës. Nuk i futëm më asnjëherë në presion”, ka thënë ndër të tjera Hasi në intervistën dhënë për gazetën belge “Het Laatste Nieuës”.
Tekniku 53-vjeçar nga Gjakova u kthye në krye të Anderlechtit në mars të këtij viti. Më herët ai e ka udhëhequr edhe Mechelen, Al Ahlin, Al Raedin, Olympiakosin dhe Legian e Varshavës. Në krye të Anderlechtit ishte edhe mes viteve 2014-2016.
Anderlechti është dhjetë pikë prapa Royale Unionit në elitën belgë.