Futbollistët e Shqipërisë janë grumbulluar të hënën për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve.
Të shtunën nga ora 20:45, Shqipëria e pret Çekinë në “Air Albania” në Tiranë. Në arenën e njëjtë zhvillohet edhe ndeshja Shqipëri – Ukrainë, më 19 nëntor. Shqipëria e kërkon vendin e parë në Grupin B1 të Ligës së Kombeve. Vendi i parë do t’ia mundësonte promovimin historik në Ligën A. Pas katër xhirosh, Çekia udhëheq me shtatë pikë. Gjeorgjia e Shqipëria i kanë nga gjashtë, ndërsa Ukraina i ka katër pikë.
Portieri Thomas Strakosha është optimist për vendin e parë në grup.
Më 11 tetor në Pragë, Shqipëria pësoi 2:0 nga Çekia. Reagoi më 14 tetor duke fituar 1:0 në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë.
“Në Çeki e kemi luajtur ndeshjen më të keqe në dy vjetët e fundit. Nuk u futëm në fushë siç duhet. Pësuam gol në minutat e parë. Tani duhet të luajmë më mirë. Duhet të përqendrohemi më shumë dhe të futemi mirë në fushë që në minutat e parë. Kemi dy finale në shtëpi, kemi publikun tonë dhe mendoj që jemi të gjithë të përgatitur mirë. Kemi mungesa apo jo, do të japim maksimumin dhe do t’ia dalim”, ka thënë Strakosha të hënën në konferencë për shtyp.
Sipas tij, kuqezinjtë duhet të japin maksimumin dhe të luajnë me zemër. Vetëm duke luftuar për çdo top, Shqipëria ka gjasa.
“Për çdo futbollist është motivim kur e ke stadiumin plot. Na jep zemër për të luajtur mirë. Është diçka shumë e bukur për ne dhe çdo shqiptar”, ka shtuar Strakosha.
Ai thotë se ndeshja me Çekinë është më e vështirë.
Në konferencë u paraqit edhe futbollisti i talentuar Feta Fetai. Ai për herë të dytë grumbullohet me Kombëtaren A.
“Më kanë pritur shumë mirë, të gjithë. Më kanë dhënë besimin e duhur për të dhënë më të mirën. Sa i përket të ardhmes, shpresoj të jem prej lojtarëve të rëndësishëm. Ëndrra e çdo fëmije është të luaj me Kombëtare. Çdokush e ka ëndërr të luajë në Evropian apo Botëror me Kombëtaren”, ka thënë 19-vjeçari.
Feta Fetai është nga Shkupi, ndërsa luan për Lokomotivën e Zagrebit. Ka luajtur për U18 e U19 të Maqedonisë së Veriut e më pas për Shqipërinë U21. Tani pret të debutojë te Shqipëria A.