Klubi arab, Neom SC ka nisur punën për transferimin e Granit Xhakës dhe tashmë ka kontaktuar Bayer Leverkusenin.
Të premten dolën raportimet e para për interesimin e Neom SC për kapitenin e Zvicrës, ndërsa çështja u bë dukshëm më serioze të dielën mbrëma. Kështu të paktën raporton mediumi i fuqishëm gjerman, Kicker.
Neom SC është promovuar në elitën e Arabisë Saudite, ndërsa tashmë ka kontaktuar nënkampionin gjerman për Xhakën. Ai ka kontratë deri në vitin 2028. Ndonëse Xhaka vlerësohet shumë i rëndësishëm në aspektin sportiv për Leverkusenin, “Kicker” ka shkruar se një lëvizje e tij do të ishte e arsyeshme ekonomikisht dhe sa i takon strategjisë.
Neomi, si shumë klube të tjera arabe, është pronë e fondit sovran. Për këtë klub paratë nuk janë problem. Leverkuseni do të hyjë në negociata me pritje shumë të mëdha. Natyrisht, nëse paraqitet oferta.
Një dëmshpërblim prej rreth 20 milionë euro, sa kishte paguar Bayeri tek Arseanli, vlerësohet pikënisje për diskutime. Tani mbetet të shihet nëse arabët janë vërtetë të interesuar për mesfushorin 32-vjeçar.
Sipas “Kicker”, marrëveshje mes Xhakës dhe Neom SC nuk është arritur deri të dielën mbrëma. Por kjo gazetë shkruan se Xhaka tashmë ka shfaqur shenja se mund të transferohet në Arabi Saudite.
Ka pëlqyer fotografinë e Christophe Galtierit, që e ka prezantuar veten si trajner i Neomit.
Për Xhakën kanë shprehur interesim edhe skuadra italiane. Milani është përmendur shumë, por edhe Juventusi e Interi.
Megjithatë momentalisht kalimi në Arabi Saudite duket më i mundshëm.