Kalimi i Granit Xhakës te skuadra arabe Neom SC po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.
Mediumi i fuqishëm, “Sky Sport” në gjuhën gjermane, ka shkruar se kapiteni i Zvicrës tashmë ka arritur marrëveshje në parim me klubin e promovuar në elitën e futbollit arab.
Të premten, krejt papritur, u shkrua për interesimin e klubit nga Arabia Saudite për mesfushorin lider të Bayer Leverkusenit. Të dielën mediumi i njohur gjerman “Kicker” shkroi se Neomi tashmë e ka kontaktuar Leverkusenin për 32-vjeçarin. Ky medium ka thënë se një lëvizje e Xhakës për në Arabi Saudite do të ishte e favorshme për Leverkusenin.
Dhe tani ka raportime që Xhaka ka marrëveshje verbale me Neom SC.
“Granit Xhaka mund t’i përfitojë 10 milionë euro neto në vit. Fenerbahçe, po ashtu është futur në garë, nëse lëvizja në skuadrën e promovuar në Saudi Pro League nuk realizohet”, ka shkruar Sky Sports.
Sipas këtij mediumi, Neom SC e ka njoftuar Bayer Leverkusenin që është i interesuar për Xhakën.
Është përmendur shifra prej gjashtë milionë euro për dëmshpërblim, ndonëse “Kicker” shkroi se Leverkuseni i synon rreth 20 milionë, aq sa i kushtoi blerja e Xhakës nga Arsenali dy vjet më parë.
Të tjera bisedime priten mes klubeve, pasi deri më tani nuk ka marrëveshje.
Interesim për Xhakën ka shprehur edhe Milani, ndërsa janë përmendur si skuadra të interesuara edhe Juventusi e Interi. Por klubet italiane aktualisht nuk janë “temë”.
Xhaka ka kontratë me Bayer Leverkusenin edhe tre vjet të tjera. Është lojtari më i paguar në skuadrën nënkampione të Gjermanisë. Nga Leverkuseni tashmë janë larguar lojtarë të rëndësishëm, pos trajnerit Xabi Alonso. Dhe Xhaka që nga fillimi ka shprehur dyshime për atë nëse është gati të qëndrojë gjatë fazës së rikonsolidimit të klubit.
Në edicionin e parë me Leverkusenin, Xhaka fitoi titullin e kampionit të Bundesligës dhe Kupën e Gjermanisë. Madje titullin Leverkuseni e fitoi pa asnjë humbje të pësuar.
Milionat nga Arabia Saudite e kanë joshur shumë futbollistë të njohur botëror. Mund të jenë joshës edhe për Xhakën, që po i afrohet fundit të karrierës.