Futboll

Golat e rëndësishëm të Dabiqajt në skenën evropiane

Albert Dabiqaj

Tregimi i golave dhe asistimeve të Albert Dabiqajt në skenën evropiane lidhet me dy klube gjilanase. 

Katër golat e dy asistimet e tij kanë pasur ndikim në rezultat. Rrugëtimi i Dabiqajt në Evropë nisi me Gjilanin. Më 7 korrik 2022 shënoi në fitoren 1:0 ndaj Liepajas letoneze, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Vazhdoi me dy asistime më 25 korrik 2024, kur Drita fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Breidablikut islandez, në rrethin e dytë kualifikues të kësaj gare. 

Një gol me Dritën e shënoi edhe në ndeshjen kthyese të raundit të tretë kualifikues të Konferencës, në fitoren 3:1 ndaj Audas së Letonisë. Por, golat më të rëndësishëm të Dabiqajt ishin në plejofin ndaj Differdanges, në fitoren 2:1 në Prishtinë, më 21 gusht të këtij viti. Dhe ai i së enjtes mbrëma në udhëtim te KuPS-i finlandez, në Tamperen e largët. 

Drita siguroi një pikë në paraqitjen debutuese në Ligën e Konferencës. Me golin e mesfushorit 29-vjeçar nga Deçani, Drita barazoi 1:1.

“Secili gol e ka rëndësinë e vet dhe gëzimin e vet. Të gjithë golat për mua janë të rëndësishëm. Falë punës që e bëjmë, angazhimit, sakrificës, gjithçka është më e lehtë. Duhet të vazhdojmë të japim çdo gjë nga vetja që të arrijmë rezultate pozitive”, ka deklaruar Dabiqaj të premten për KOHËN.

“Jam shumë i lumtur që kemi pasur fillim të mbarë, me një pikë të madhe. Falë bashkëlojtarëve, stafit, jam shumë i lumtur për paraqitjen e skuadrës. Kjo na jep motiv dhe besim që ne mund të kemi sukses edhe në ndeshje evropiane”. 

Shtatë pikë mund jenë të mjaftueshme për të avancuar në fazën nokaut. Të paktën kështu ishte në edicionin e kaluar të Ligës së Konferencës. Nga 36 skuadra sa janë, 24 avancojnë në fazën nokaut. 

Deri në fund të kampanjës, Drita do të luajë edhe ndaj Omonias, Shkëndijës së Tetovës, AZ Alkmaarit, Shelbournet e Rayo Vallecanos. 

Dabiqaj beson se Drita do të kthehet edhe në Superligë, pavarësisht startit jo të mirë. “Synimi jonë është Superliga edhe pse nuk kemi pasur fillim të mirë. Por, do të kthehemi”. 

Ndeshjen e radhës në Superligë, Drita e luan të hënën ndaj Gjilanit.