“Arsenali duhet të firmosë me një sulmues”.
Ndoshta është fraza që trajneri Mikel Arteta është lodhur duke e dëgjuar. Ndoshta është e tepruar të thuhet që mungesa pesëvjeçare e trofeve te “topçinjtë” është për shkak të dështimit të klubit për të siguruar një sulmues. Por kjo ka luajtur rol përfundimisht.
Dhe tani Arsenali e ka sulmuesin.
Viktor Gyokeres arriti në “Emirates” me reputacionin e një sulmuesi shumë efikas. Ai ka shënuar 97 gola në 102 paraqitje për Sportingun. I ka edhe 26 asistime.
Ai është transferimi i fundit në një verë të ngjeshur për Artetan. Arsenali tashmë ka transferuar mesfushorët Martin Zubimendi dhe Christian Norgaard, portierin Kepa Arrizabalaga dhe lojtarin e krahut Noni Madueke. Do të shtojë në skuadër edhe qendërmbrojtësin e Valencias, Cristhian Mosquera.
Shifra e shpenzimeve të kësaj vere pritet të arrijë në 210 milionë funte. Është më e madhja në një afat kalimtar prej se Arsenalin e drejton Arteta.
Skuadra po përpiqet të fitojë trofeun e parë që nga ai i Kupës FA në vitin 2020. Po ashtu kërkon të përmirësojë pozitën e dytë në Premier League që e kishte tri vjet rresht. Dhe përfundimisht ardhja e Gyokeresit do të jetë shumë emocionuese për tifozët e Arsenalit.
Ka pyetje nëse ish-sulmuesi i Brightonit dhe Coventryt do të jetë ai që do të sjellë trofe në “Emirates”.
Nëse shikohet tabela e Premier Leagues, atëherë është logjike pyetja se pse ka pasur Arsenali kaq shumë nevojë për një sulmues.
Skuadra ishte “forca” e tretë shënuese në edicionin e kaluar në Premier League. Sërish ishte rivalja kryesore për titull, këtë herë e Liverpoolit.
Por kjo nuk tregon gjithë historinë.
Arsenali shënoi 22 gola më pak në ligë se në edicionin 2023/2024. Mungesa e mprehtësisë në zonë kontriboi që Arsenali të mbetet shumë prapa Liverpoolit. “Topçinjtë” po ashtu nuk ishin në gjendje që posedimin e topit ta shndërronin në gola. Skuadra u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga PSG-ja.
“Diferenca midis fitimit të ligës nga Arsenali, apo nga fitimi i këtyre ndeshjeve, është një qendërsulmues”, kishte deklaruar ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Micar Richards.
Ollie Watkins i Aston Villas, Benjamin Sheshko i Leipzigut dhe Alexander Isak i Newcastlet janë tre sulmuesit që Arsenali i ka synuar kohët e fundit. Disa tifozë të Arsenalit thonë se klubi ka kërkuar me ngulm sulmues të ri që kur Pierre-Emerick Aubameyang u largua në vitin 2022. Ai ishte sulmuesi i fundit që shënoi 20 gola në ligë, në edicionin 2019/2020.
Kai Havertz ishte golashënuesi më i mirë i Arsenalit në Premier League në edicionin e kaluar. Me vetëm nëntë gola, ishte i 26-ti në renditjen e përgjithshme. Ai i shtoi edhe gjashtë në garat e tjera. Por sërish 15 janë pak nga ajo që synohet nga sulmuesi kryesor i një skuadre që lufton për trofe.
Para Gyokeresit, Arteta ka angazhuar vetëm dy sulmues të njohur, Gabriel Jesusin dhe Havertzin. Të dy mund të luajnë në pozita të tjera, por kanë përvojë edhe në krye të sulmit.
Leandro Trossard dhe Mikel Merino kanë luajtur në sulm në disa raste. Por kjo ishte rezultat i lëndimeve të Jesusit dhe Havertzit dhe dëshmon mungesën e opsioneve.
Me suedezin Gyokeres, Arsenali ka tani lojtarin që është i njohur për shënimin e golave. Në Portugali të paktën ishte makineri golash.
39 golat e tij e renditën në vendin e parë në top-10 ligat më të mira të Evropës në edicionin e kaluar. Ai kishte të paktën tetë gola më shumë se çdo lojtar tjetër.
Gyokeres i takon një grupi elitar. Të vetmit lojtarë të tjerë që kanë shënuar të paktën 39 gola në një edicion në dhjetë ligat më të mira të Evropës në dy dekadat e fundit janë Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Robert Lewandowski dhe Luis Suarez.
12 prej golave të tij në kampionatin portugez ishin nga pika e bardhë. Por sërish totali i tij prej 27 golash nga loja është tre më shumë se totali i secilit lojtar tjetër. Ai mesatarisht kishte 4,5 goditje për ndeshje. Jesus i kishte mesatarisht 3, ndërsa Havertz 2,6 në Premier League.
Saktësia e tij ishte mbresëlënëse. Shkalla e shndërrimit të gjuajtjeve në gola, duke përjashtuar goditjet e bllokuara dhe penalltitë, është 27,3 për qind. Mohamed Salah ka shkallë prej 21,1 për qind, ndërsa Erling Haaland 21,6 për qind. Isak i Newcastlet kishte përqindje prej 26,4.
Gyokeresi po ashtu i shënoi nëntë gola në gjashtë ndeshje për Suedinë, duke përfshirë katër në një ndeshje kundër Azerbajxhanit. E përfundoi edicionin 2024/2025 të Ligës së Kombeve si golashënuesi më i mirë.
Pyetja që bëhet është nëse Gyokeres mund të jetë kaq i frytshëm në një ligë më të fortë. Në moshën 27-vjeçare, ai nuk e ka asnjë ndeshje në pesë ligat më të mira të Evropës.
Liga portugeze vlerësohet e teta më e forta në Evropë. Darwin Nunez po vuan në Angli pasi shkëlqeu te Benfica në Portugali, por Bruno Fernandes, Rubin Dias dhe Evanilson kanë shkëlqyer në elitën angleze pas transferimeve nga Portugalia.
Është e sigurt që Gyokeres sjell më shumë se vetëm gola. Sulmuesi është i njohur për lëvizjen e tij intelegjente dhe ritmin intentiv të punës. Përzierja e forcës fizike, aftësisë teknike dhe vetëdijes taktike i siguron pamje admiruese për lojën. Shumë prej golave i shënon duke vrapuar për topin.
Arsenali tani e ka sulmuesin që e ka synuar gjatë. Tani mbetet që ai ta shpërblejë besimin me gola dhe paraqitje të mira.