Futboll

FSHF-ja me deklaratë zyrtare për biletat për tifozët nga Kosova

Tifozat Kuq e Zi

Federata Shqiptare e Futbollit doli me deklaratë zyrtare të martën pasdite, përmes të cilës mohoi raportimet se tifozët nga Kosova nuk do të pajisen me bileta për ndeshjen Shqipëri – Serbi.

Sipas FSHF-së, lajmi është shpërndarë nga një medium me bazë në Zvicër. FSHF-ja shkruan se mediumi në fjalë pretendon në mënyrë të rreme dhe pa asnjë bazë faktike se tifozët shqiptarë nga Kosova janë përjashtuar nga ndeshja Shqipëri – Serbi.

“Ky informacion është krejtësisht i pavërtetë dhe abuziv. Sqarojmë se procesi i shitjes së biletave për ndeshjen Shqipëri – Serbi do të kryhet përmes një sistemi transparent dhe të hapur për të gjithë tifozët, pa asnjë diskriminim apo përjashtim. FSHF-ja mbetet e përkushtuar ndaj një organizimi dinjitoz të ndeshjes dhe fton të gjithë tifozët shqiptarë, kudo që ndodhen, të ndjekin me besim komunikimet zyrtare dhe të mos bien pre e lajmeve të rreme”, shkruan në komunikatën e FSHF-së.