Ferizaj e humbi finalen e Kupës së Kosovës të enjten mbrëma nga Dukagjini me rezultat 2:1.
Dy kartonë të kuq u dhanë nga gjyqtari Genc Nuza, ndërsa pati edhe shumë momente diskutabile e protesta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEkipi i Ferizajt u largua nga fusha dhe qëndroi në zhveshtore për afro 10 minuta në fundin e ndeshjes. Sipas Ferizajt, është dashur të akordohej penallti në të mirë të kësaj skuadre në minutat e fundit. Ferizaj kërkoi penallti edhe në pjesën e parë, por gjyqtari Genc Nuza nuk sinjalizoi pas rishikimit të situatës në VAR.
Ferizaj të premten ka reaguar në faqen zyrtare. Ka thënë se është përgatitur shumë dhe ka pasur përkrahje të madhe nga tifozët. Por, sipas Ferizajt, Kupa e Kosovës nuk u fitua për shkak të vendimeve të gjyqtarit Genc Nuza.
“Dy penalti të pastra, sipas bindjes sonë, nuk u akorduan në favor të FC Ferizajt. Rasti i parë ndodhi në pjesën e parë, kur portieri kundërshtar ndërhyri ndaj kapitenit tonë Betim Haxhimusa. Rasti u kontrollua edhe nga VAR, por kjo nuk e bindi referin të ndryshojë vendimin. Madje, sipas asaj që iu komunikua kryetrajnerit tonë Arsim Abazi, u tha se: 'VAR po më thotë që është penallti, mirëpo për mua nuk është penallti, por faull në portierin'.
Rasti i dytë ndodhi në fund të ndeshjes, kur kundërshtari e ndali topin me dorë dhe, sipas bindjes sonë, ia pamundësoi lojtarit tonë realizimin e golit. Edhe në këtë rast pati ndërhyrje nga VAR dhe referi kryesor u ftua për rishikim të situatës, mirëpo vendimi mbeti i pandryshuar pa u bërë rishikim nga ana e tij. As ky moment nuk u konsiderua për penallti. Ky vendim solli reagimin e skuadrës sonë në mënyrën që të gjithë e panë, sepse ishte e pamundur të pajtoheshim me atë që po ndodhte në fushë”, ka shkruar Ferizaj në postimin e gjatë.
Ferizaj nuk është pajtuar edhe me katër minutat shtesë që u dhanë. Sipas Ferizajt, është dashur të ketë më shumë minuta shtesë për shkak të ndërprerjeve të shumta për kontrollime nga VAR-i dhe tetë zëvendësimeve të lojtarëve.
“Për një finale të këtij niveli, këto vendime lënë shumë pikëpyetje”, shkroi Ferizaj që për shkak të këtyre rasteve, “nuk gjeti motiv për t’i pranuar medaljet e argjendta”.
Ferizaj ka bërë akuza të shumta dhe ka shtuar se është dëmtuar shumë në kampionat.
“Gjatë gjithë kampionatit kemi ngritur zërin për referimin në shumë raste, por fatkeqësisht nuk kemi marrë përgjigjet dhe reflektimin që kemi pritur”, ka shkruar Ferizaj.
Ferizaj në edicionin tjetër do të bëjë gara në Ligën e Parë, përkatësisht në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.