Futboll

Etnik Brruti përfshihet në ekipin U21 të Shqipërisë

etnik brruti

Futbollisti i Malishevës, Etnik Brruti, është përfshirë në listën e ekipit U21 të Shqipërisë për dy ndeshjet miqësore kundër Hungarisë dhe Turqisë. Lista e Shpresave të Shqipërisë u publikua të dielën.
Miqësoren e parë Shpresat e Shqipërisë, të udhëhequr nga Alban Bushi, më 5 qershor përballen kundër Hungarisë U21, derisa më 8 qershor ndaj Turqisë në Stamboll.

“Këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për të vëzhguar nga afër formën e lojtarëve të grumbulluar dhe për të testuar alternativa të ndryshme në funksion të ndërtimit të një skuadre sa më konkurruese për Evropianin U-21 2027”, shkruan në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Brruti ishte pjesë e grumbullimit të Shqipërisë për ndeshjet hapëse të ciklit të ri kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm. Por mesfushori i Malishevës nuk ishte pjesë e ekipit zyrtar të Sylvinhos për ndeshjet e muajit mars kundër Anglisë dhe Andorrës. Ndaj kësaj të fundit fitoi 3:0, kurse humbi nga Anglia 2:0. 

Më 7 qershor, Shqipëria e pret Serbinë në Tiranë, kurse pas tri ditësh luan në udhëtim kundër Letonisë në Riga. 

Para se Brruti t’i bashkohej Shqipërisë, ishte kapiten i Kosovës U21. Kalimi nga Kosova te Shqipëria bëri bujë. Por Brruti tani është kthyer të luajë në nivelin ku ishte – grupmoshën U21.