Kur bëhet fjalë për Real Madridin e Xabi Alonsos, asgjë nuk duket të jetë rastësi. Dhe kjo vlen edhe për shfaqjen e Arda Gulerit.
Trajneri i ri i Madridit është kujdesur për çdo detaj qëkur e mori drejtimin në maj. Dhe lojtari 20-vjeçar i Turqisë është një nga përfituesit kryesorë të ardhjes së Alonsos.
Pas fitores kundër Borussia Dortmundit në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube, trajneri dhe lojtari u panë duke shkuar së bashku drejt autobusit të ekipit, ndërsa largoheshin nga stadiumi MetLife.
Guler sapo kishte bërë dy asistime të shkëlqyera për ta ndihmuar Madridin të kualifikohej në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale përballet me Paris Saint-Germainin, të mërkurën nga ora 21:00.
“Asistues!”, shkroi Luka Modriq, ndërsa shtoi një “zjarr” në postimin e Gulerit në Instagram.
“Po përpiqem të mësoj çdo ditë prej tij”, tha Guler kur u pyet nga “The Athletic” nëse mund të zëvendësojë mesfushorin veteran të Kroacisë.
Ish-trajneri i Madridit, Carlo Ancelotti, i kishte sugjeruar Gulerit se ai mund të ishte lojtari që do të zëvendësonte Modriqin dhe Toni Kroosin. Ikona gjermane e Madridit u tërhoq verën e kaluar.
I riu është bërë figurë kyç në SHBA këtë verë. Guler udhëtoi për në SHBA këtë verë i gatshëm për të bërë hapin drejt shndërrimit në startues të rregullt. Dhe po ia del në këtë.
Pasi ishte transferuar nga Fenerbahçe në verën e vitit 2023 për një dëshpërblim fillestar prej 20 milionë euro, sezoni i parë i Gulerit u shoqërua me lëndime. Por në edicionin e fundit me Ancelottin, problemi i tij ishte mungesa e mundësisë. Kjo shkaktoi shqetësim brenda klubit dhe midis tifozëve. E bëri po ashtu nervoz Ancelottin në konferencë për shtyp.
Trajneri që tashmë e drejton Brazilin e arsyetoi veten duke thënë se në Madrid të rinjtë duhet të “shijojnë veten në stol” përpara se të bëhen titullarë të padiskutueshëm.
Alonso ka pasur pikëpamje tjetër.
“Arda është i kënaqur me Xabin”, thanë burime pranë Guler, duke folur në kushte anonimiteti për “The Athletic”.
Alonso dëshironte të angazhonte Gulerin sa ishte trajner i Bayer Leverkuseni dhe në kapitullin e ri për karrierën e tij po dëshmon pse. Në të njëjtën kohë klubi tregoi besim në Gulerin.
Kur drejtuesit e Madridit dhe trajneri po punonin për të finalizuar transferimin e Franco Mastantuonos nga River Plate, Guler e dinte se ai do të luante si mesfushor këtë edicion. Atij iu tha se ardhja e argjentinasit, që luan në krahun e djathtë, nuk do të përbënte kërcënim për kohën e tij të lojës.
Ylli turk e nisi Kupën e Botës për Klube si zëvendësues, por Alonso e dërgoi atë të ngrohej në minutën e dhjetë të ndeshjes hapëse ndaj Al-Hilalit. Alonso e aktivizoi në fillim të pjesës së dytë. Pavarësisht barazimit 1:1, Guler bindi të gjithë dhe që atëherë ka qenë vendimtar.
Ai shënoi në fitoren 3:1 kundër Pachucas, duke u bërë lojtari më i ri (me 20 vjet e 57 ditë) që shënoi dhjetë gola për Madridin në një edicion në të gjitha garat, të paktën nga edicioni 2009/2010, kur Opta filloi të mbante këtë statistikë. Guler e theu rekordin e Vincius Junior, të cilin e vendosi në vitin 2020, me 20 vjet e 80 ditë.
Rëndësia e Gulerit është rritur edhe në raport me mediat. Ai është zgjedhur nga klubi për të folur tri herë gjatë garës, pavarësisht se nuk flet shumë spanjisht dhe nuk flet rrjedhshëm as anglisht.
Kur u pyet për ndryshimet midis Ancelottit dhe Alonsos, Guler shpjegoi se “trajneri po përpiqet të na bëjë të kemi më shumë kontroll të lojës, kjo është mirë për mua”.
Ai shtoi: “Jam më i lumtur, sepse po luaj dhe po luaj në qendër të fushës”.
Guler u shpreh ngjashëm edhe para ndeshjes me Dortmundin.
“Gjithçka është mirë, sepse kam qenë titullar në tri ndeshjet e fundit. Kam luajtur shumë mirë, trajneri është i lumtur dhe skuadra është e lumtur me mua”.
Më pas Alonso e mbështeti atë, kur u përgjigj nëse Gulet mund të jetë më i fortë në mbrojtje.
“Është koha për të investuar në progresin dhe zhvillimin e Ardas”, tha ai. “Duhet ta dijë se mund të bëjë gabime”.
Të mërkurën mbrëma Guler do të ketë tjetër test të rëndësishëm. Dhe po ashtu rast për të dëshmuar se është rritur si lojtar dhe se është i gatshëm për ta udhëhequr mesfushën e klubit mbretëror.