Futboll

“Emirates Stadium” bëhet shtëpia kryesore e futbollisteve të Arsenalit

Emirates Stadium

Stadiumi “Emirates”, nga edicioni i ardhshëm do të bëhet shtëpia kryesore e futbollisteve të Arsenalit. Kështu ka njoftuar të martën vet klubi.

“Ka pasion të madh për ekipin tonë të femrave në të gjithë klubin tonë. Ne jemi një klub, me një vizion për të fituar trofe të mëdhenj në ekipet tona të meshkujve dhe femrave.Kjo lëvizje e mbështet këtë ambicie dhe ne mezi presim të vazhdojmë këtë rrugëtim të mahnitshëm me mbështetësit tanë”, është shprehur drejtori sportiv i Arsenalit, Edu Gaspar.

Arsenali ka njoftuar se në stadiumin “Emirates” do të zhvillohen tetë ndeshje të Superligës për Femra dhe tre ndeshje në Ligën e Kampionëve, nëse sigurohet kualifikimi për në fazat e grupeve.

Ndeshjet e mbetura, duke përfshirë të gjitha ndeshjet e kupës vendase, do të zhvillohen në terrenin Meadow Park të Arsenalit në Borehamwood.

Skuadra londineze e mban rekordin e frekuentimit si vendas për një ndeshje të Super ligës së femrave prej 60,160 tifozë.