Sulmuesi kosovar, Emir Sahiti, pritet të largohet nga skuadra e Hamburgut.
“One Football” ka shkruar të martën se menaxheri i Sahitit po punon për lëvizjen e tij në afatin dimëror.
Sahiti u është ofruar disa klubeve, përfshirë St. Paulin. Megjithatë 27-vjeçari i ka kërkuar menaxherit të tij të punojë për një transferim në Arabinë Saudite.
Sulmuesi i krahut ka pasur shumë probleme këtë edicion në Bundesligën gjermane. Ka luajtur vetëm 122 minuta. U paraqit vetëm në dy ndeshjet e para të edicionit dhe më pas nuk e fitoi asnjë minutë. Në nëntë ndeshje nuk u ftua fare, kurse në tri të tjera ishte në bankën e rezervistëve.
Pati minuta më 3 dhjetor në Kupën e Gjermanisë ndaj Holstein Kielit.
Sahiti te Hamburgu u transferua në vitin 2024 nga Hajduku i Splitit për 1.2 milionë euro. Kontrata i përfundon vitin e ardhshëm.