Futboll

Dueli ndaj Sionit vlerësohet festë te Prishtina “zvicerane”

Prishtina Bern

Ekipi i kategorisë së katërt, Prishtina Bern, planifikon festë të madhe në ndeshjen ndaj FC Sionit e vlefshme për Kupën e Zvicrës. Presidenti i Sionit, Christian Constantin, edhe një herë tjetër mund të udhëtojë me helikopter

(20min.ch) – “Për ne është më shumë festë sesa ndeshje”, thotë Gazmend Tetaj për “20 Minuten”, kur pyetet për duelin e kupës ndaj Sionit.

Tetaj është drejtor sportiv i Prishtina Bern, klub i divizioni të katërt zviceran, dhe duket qartë se mezi e pret ndeshjen ndaj ekipit nga Valaisi.

Ekipi nga Berni e shtyu stërvitjen vetëm për ta parë kundërshtarin në televizion, të mërkurën. Një festë do të organizohet të shtunën në qendrën sportive në Bodenweid, në kryeqendrën zvicerane, ku përveç ambasadorit shqiptar pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Sionit, Christian Constantin.

Sioni i Superligës udhëton te FC Prishtina

Është raportuar se presidenti Constantin planifikon të udhëtojë me helikopter për ndeshjen e raundit të dytë të Kupës së Zvicrës dhe të aterrojë afër Bodenweidit. Sipas “Bilanzit”, presidenti i Sionit, me pasuri 650 milionë franga zvicerane, pritet të gjobitet për aterrim të paautorizuar.

Në të kaluarën, 68-vjeçari ka udhëtuar me helikopter në ndeshjet për kupë, në stadiumet provinciale.

“Është sikur aterron Michael Jacksoni. Është atraksion”, ka komentuar Constantin vitin e kaluar, kur aterroi me helikopter në Delemont.

Policia lokale e Bernës ka thënë se nuk ka njohuri për planet e presidentit të Sionit. “Aterrimi i një helikopteri kërkon, mes tjerash, edhe aprovimin e pronarit të tokës. Kështu që, përderisa nuk aterron në pronë publike që i takon qytetit të Bernës, kjo nuk ndikon tek ne”.

A do të arrijë “CC” me helikopter?

“Se si babai im vjen në ndeshje është problemi i fundit. Ai mund të shkojë me helikopter, me veturë, me kalë apo nga NASA”, ka thënë për “20 Minuten” me buzëqeshje drejtori sportiv i Sionit dhe pasardhësi i Christian Costantinit, Barthelemy Constantin.

“Nuk është problemi im, unë vetëm dua të fitoj dhe të avancoj në raundin tjetër”.

Robin Wildhaber, i cili ka luajtur bashkë me Fabian Riederin në përfaqësuesen e juniorëve të Zvicrës, gjithashtu dëshiron që ta ndalojë ekipin nga Valaisi për të avancuar tutje në Kupë. Ai është lojtar i FC Prishtinës.

“Do të jetë moment i rëndësishëm dhe çdo gjë është e mundur në Bodenweid, në fushën e vogël me bari artificial”, ka thënë 23-vjeçari.

Shumë kultura të mbledhura te FC Prishtina

“Është keq që Balotelli nuk është më te Sioni, por natyrisht se do të jetë ndeshje e mirë”, ka thënë me gëzim Wildhaber, i cili më parë ka fituar para si profesionist në Peru, në vendlindjen e nënës së tij. Kundër ekipit të Superligës, ekipi nga Berni mund ta ketë në formacion Steven Ukohun, që ka katër paraqitje me Nigerinë, e që dikur konsiderohej talent në mesfushën e Young Boysit.

Mesfusha me shumë kultura është emblematike. Në klubin, të formuar nga shqiptarët në vitin 1990, nuk janë të mirëpritur vetëm shqiptarët.

“Përveç shqiptarëve, ne kemi edhe shumë zviceranë dhe lojtarë të nacionaliteteve tjera në ekip. Ne nuk kufizojmë asgjë, jemi të hapur për të gjithë”, thekson drejtori sportiv Tetaj.

Ndeshja mes Prishtina Bern dhe Sionit zhvillohet të shtunën nga ora 19:00.