Futboll

Shaqiri përplaset me tifozin e Baselit pas eliminimit nga Kupa e Zvicrës

xherdan shaqiri

(Bluewin) – Një fitore spektakolare 4:3 në klasiken e Zvicrës kundër Zurichut duhej të ishte fillimi i kthesës. Por tani Baseli po duket më i dobët sesa ka qenë për kohë të gjatë. Zëvendësimi i Ludovic Magninit me Stephan Lichtsteinerin në krye të shtabit teknik, ende nuk ka dhënë frytet.

Ish-kapiteni i Zvicrës, i cili iu bashkua klubit të madh Baselit, nga klubi që garon në rangjet e ulëta të Zvicrës, FC Wettswil-Bonstetten, mbetet pa fitore në ndeshjen e tij të tretë.

Së pari humbi 1:0 nga Viktoria Plzen, që i kushtoi Baselit me eliminim nga Liga e Evropës, pastaj 2:1 në shtëpi nga lideri i Superligës, Thuni dhe të mërkurën mbrëma mori tjetër goditje duke e humbur në ndeshjen çerekfinale të Kupës nga St. Galleni në minutën e fundit.

“Jam shumë i zhgënjyer. Kishim shpresuar për më shumë”, tha kapiteni i Baselit, Xherdan Shaqiri, në një intervistë për SRF pas humbjes për Kupë.

St. Galleni kaloi në epërsi në minutën e parë dhe shënoi golin e fitores 2:1 në kohën shtesë. “Duhet të jesh gati për 90 ose 95 minuta dhe gjithashtu të mbrohesh që të paktën të sigurosh vazhdimet”, tha Shaqiri i zemëruar.

Përplasja me një tifoz të pakënaqur të Baselit

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Shaqiri u përplas me një tifoz. Pak çaste më vonë, kapiteni i Baselit u qetësua dhe dha një tjetër shpjegim për situatën e krijuar me tifozin.

“Një tifoz më bërtiti diçka. I thashë të qëndronte i qetë dhe të mbështeste ekipin deri në fund”.

Ai mund ta kuptonte që tifozët ishin të mërzitur.

“As ne nuk jemi të lumtur. Por është e kotë, tani duhet të qëndrojmë të bashkuar”, është shprehur Shaqiri.

Shaqiri komentoi edhe ndeshjen.

“Nuk ishim mjaftueshëm mirë në sulm. Duhet të krijojmë më shumë raste. Është shumë zhgënjyese”, thotë ai.

Ndeshja ishte e barabartë, por Baseli pranoi gol nga një kundërsulm.

“Duhet të jetojmë me këtë dhe të përpiqemi të kthehemi te fitoret sa më shpejt të jetë e mundur”, ka theksuar Shaqiri.

Te Baseli i dalin në mbrojtje Lichtsteinerit

Baseli nuk ka arritur tashmë synimet. U eliminua nga Liga e Evropës dhe Kupa e Zvicrës. Në garën për titull është 13 pikë prapa liderit, Thunit.

Drejtori sportiv i Baselit, Daniel Stucki, i del në mbrojtje trajnerit Lichststeiner.

“Lichtsteiner po bën një punë të mirë, por nuk është magjistar. Ndonjëherë ndryshimet e trajnerit kanë një efekt pozitiv të menjëhershëm, ndonjëherë zgjat pak më shumë. Por ne jemi ende shumë pozitivë dhe do të ndërtojmë mbi të”, ka thënë Stucki.

Ai mbron vendimin për ndryshimet që u bënë në shtabin teknik.

“Gjithmonë je më i zgjuar duke parë nga e kaluara. Por nëse do t’i kishim humbur ato tri ndeshje me trajnerin e vjetër, njerëzit do të kishin pyetur pse nuk ndryshuam më parë. E analizuam mirë dhe për një kohë të gjatë dhe e dinim rrezikun. Fatkeqësisht, tani kemi humbur tri herë, gjë që është shumë e hidhur, por ne i qëndrojmë vendimit tonë”, është shprehur ai.

Kapiteni i Baselit, Shaqiri, beson se shumë gjëra janë ende të mundshme në kampionat pavarësisht diferencës së madhe.

“Nuk kemi pse të shënojmë asgjë përpara se matematikisht të jetë më e pamundur. Ne përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje. Por sigurisht, humbëm një mundësi të shkëlqyer sot”, ka thënë Shaqiri.