Te kampionia e Kosovës në futboll, Drita, janë gati për një ndeshje të vështirë dhe ambientin jomikpritës të enjten në Bukuresht. Por, te Drita kanë thënë se janë gati për ta zhvilluar një ndeshje të madhe kundër kampionit të Rumanisë në futboll, FCSB.
Ndeshja FCSB – Drita zhvillohet të enjten nga ora 20:00 në Bukuresht dhe i takon raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja kthyese në Prishtinë luhet pas një jave.
“Nesër na pret një përballje mjaft e fortë kundër një skuadre shumë cilësore dhe me shumë traditë, pavarësisht një krize të vogël që çdo klub mund ta ketë. Ne jemi të gatshëm të japim maksimumin përballë një kundërshtari siç është FCSB”, ka thënë Ramadani të mërkurën në konferencë për media.
Ramadani ka theksuar se nuk ishte befasi që Shkëndija eliminoi FCSB-në në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.
“Nuk jam aspak i befasuar, sepse vij pikërisht nga Maqedonia dhe e njoh shumë mirë kualitetin e Shkëndijës. E pamë gjithashtu që pati edhe fatin me vete dhe e dimë që në sport edhe fati sportiv luan rol të rëndësishëm”, ka theksuar trajneri shkupjan.
Kampioni i Rumanisë në futboll, FSCB, është në krizë rezultatesh. Klubi nga Bukureshti i ka humbur katër ndeshjet e fundit. Por, Ramadani insiston se i pret ndeshje e vështirë.
“Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë kundër një kundërshtari të fortë, dhe nuk e kemi nënvlerësuar aspak krizën që përmendet se është e pranishme te FCSB”, ka thënë Ramadani.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e presidentit të klubit rumun, Gigi Becali dhe trajnerit, Elias Charalambous.
“Deklarata e trajnerit të FCSB-së ishte shumë e matur dhe profesionale. Sa i përket deklaratës së presidentit, mendoj se çdo president ka luksin që ndoshta të jetojë edhe pa futboll”, ka thënë Ramadani.
Në konferencë për media me trajnerin Ramadani u paraqit edhe portieri Faton Maloku. Edhe Maloku e cilësoi të vështirë përballjen në Bukuresht kundër FCSB-së.
“E dimë shumë mirë kë kemi përballë, por jemi përgatitur mjaft mirë. Nëse i zbatojmë ato që na ka treguar trajneri, besoj se do të dalim me rezultat pozitiv nga kjo ndeshje”, ka thënë Maloku.
Nëse Drita kalon në plejofin e Ligës së Evropës, përkatësisht nëse e eliminon kampionin rumun, atëherë do të përballet me skuadrën tradicionale skoceze, Aberdeen.
Ndërkohë nëse eliminohet nga FCSB-ja, Drita do të zhvendoset në plejofin e Ligës së Konferencës. Dhe do të përballet me fituesin e ndeshjeve mes Differdange të Luksemburgut dhe Levadias së Estonisë.
-
6 gusht 2025 19:57
-
Shpërndaje në: