Mbrojtësi Andi Hoti të hënën kompletoi kalimin tek Eintracht Braunschweigu nga Magdeburgu.
Por kalimi i Hotit tek Braunschweigu nuk u ka pëlqyer drejtuesve të klubit tjetër të Bundesligës 2, Dynamo Dresten.
Gazeta e madhe gjermane “Bild” ka raportuar se Dynamo Dresdeni ka prishur tashmë marrëdhëniet me Magdeburgun.
“Bild” ka bërë të ditur se Dynamo Dresdeni ishte i gatshëm t’i paguante 250 mijë euro për Hotin. Megjithatë Magdeburgu nuk e shiti te Dynamo Dresdeni pasi e sheh konkurrent më të rrezikshëm se Braunschweigun në garën për mbijetesë në Bundesliga 2.
“Dynamo nuk ka më nevojë të përpiqet të afrojë lojtarë të Magdeburgut, sepse marrëdhënia tani është prishur në mënyrë të pakthyeshme”, shkruan “Bild” të martën.
Dynamo Dresden, Eintraht Braunschweigu dhe Magdeburg janë në garë për mbijetesë në Bundesliga 2.
22-vjeçari Hoti ka nënshkruar kontratë me Braunschweigun të vlefshme deri më 30 qershor 2028 dhe do ta bartë fanellën me numrin 4.
Hoti ka luajtur një ndeshje për Kosovën A dhe 15 ndeshje për ekipin U21.