Rubin Kazani të shtunën luajti pa gola me Dynamo Moskën. Mirlind Daku e kompletoi ndeshjen e kampionatit rus, por pa shënuar gol. Ai së fundi ka realizuar për Rubin Kazanin më 20 shtator. Ka shtatë ndeshje me skuadrën që nuk ka realizuar.
Sulmuesi i Shqipërisë nisi furishëm edicionin në Rusi, por mbetet me tetë gola në 14 ndeshje.
Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, është pyetur në konferencë për mungesën e golave të Dakut. Nuk është shprehur i brengosur.
“Jam i sigurt se goli do të vijë. Në fund të edicionit do t’i ketë 15 gola”, është përgjigjur Rakhimov.
Në edicionin e parë në Rusi, Daku i kishte dhjetë gola, ndërsa në të dytin 15.
Loja sulmuese e Rubin Kazanit bazohet plotësisht në Dakun. Këtë tashmë e dinë të gjithë kundërshtarët në Rusi.
“E dimë si luan Kazani, çdo gjë ka të bëjë me Dakun. Nëse nuk lejoni hapësirë që ai ta marr topin, kjo skuadër nuk do të ketë shanse para golit”, ka thënë mesfushori i Dynamo Moskës, Alexander Kutitsky.