Futboll

Conceiçao sheh gjëra pozitive te Milani

Sergio Conceiçao

Pavarësisht se Milani mbeti jashtë garave evropiane për edicionin e ardhshëm, trajneri portugez Sergio Conceiçao sheh gjëra pozitive te “kuqezinjtë”. 

Milani të dielën mbrëma u mposht nga Roma me rezultatin 3:1 në ndeshjen që i takoi javës së parafundit të Serie A. Milani më nuk ka gjasa të kualifikohet për gara evropiane. Renditet në pozitën e nëntë me 60 pikë. 

Conceiçao në një intervistë për “DAZN” e pranoi se sezoni nuk shkoi mirë por ai shtoi se ka pasur edhe gjëra pozitive. 

“Nuk po them se ishte një sezon i mirë, absolutisht jo, por pati edhe disa gjëra pozitive. Fituam Superkupën e Italisë, arritëm në finalen e Kupës së Italisë, por kur erdhi puna te ndeshjet kyçe, pati momente negative. Atmosfera nuk ishte e lehtë për t’u përballuar pas finales”, ka thënë Conceiçao. 

Milani në finale të Kupës së Italisë u mposht nga Bologna. 

50-vjeçari Conceiçao deri më tani Milanin e ka drejtuar në 30 ndeshje. Ka 15 fitore, pesë barazime dhe dhjetë humbje. Kontrata me Milanin i përfundon vitin e ardhshëm. Por pritet të largohet së shpejti.