Është përralla e Kupës së Botës. Vendi futbollistik me më pak se një dekadë në futbollin ndërkombëtar, e që ka më pak banorë se shteti i Australisë së Jugut. Një Virxhinia Perëndimore e Ballkanit, por me një sipërfaqe më të vogël dhe me të kaluar të larmishme.
Përfaqësuesja e vogël e Kosovës është vetëm një ndeshje larg paraqitjes së parë në Kupën e Botës, në Grupin D ku presin Australia, Paraguai dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjithçka që qëndron para saj është plejofi gjithçka-apo-asgjë ndaj Turqisë, në shtëpi, në Prishtinë, të martën. Është kulmi i mrekullueshëm i kampanjës kualifikuese që tani është kthyer në optimizëm dhe krenari kombëtare.
Përzgjedhësi, Franco Foda, ka thënë se në ndeshjen e së martës do të ishin të pranishëm edhe 100 mijë shikues – gati gjysma e banorëve të kryeqytetit, Prishtinës – nëse stadiumi “Fadil Vokrri” do të ishte mjaftueshëm i madh për t’i zënë.
Për fat të keq, kapaciteti i stadiumit është 14 mijë vende, edhe pse 25 mijë njerëz i zuri në vitin 2007 gjatë performancës së reperit 50 Cent, në atë që shënoi një moment të rëndësishëm të ngjalljes pas luftës.
Ky është vendi ku konflikti nuk harrohet lehtë. Jo shumë larg nga stadiumi, stacioni policor u bombardua nga NATO gjatë luftës 1998-99. Në veri të vendit, tensionet ende vazhdojnë me Serbinë fqinje.
Për një shtet si Kosova, futbolli do të thotë diçka më shumë.
“Si përfaqësuese, ne jemi bërë simbol i asaj që çdo gjë është e mundur”, ka thënë futbollisti i krahut i Melbourne Cityt, Elbasan Rashani, i cili ka luajtur 29 ndeshje për Kosovën mes viteve 2016 dhe 2024.
“Ne kemi treguar rrugën për popullin e Kosovës, për t’u njohur”.
Pas fitores dramatike të enjten 4:3 ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale të plejofit në Bratislavë, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka quajtur lojtarët e Kosovës “gladiatorë”.
Festa ishte me fishekzjarrë në rrugët e Prishtinës. Sllovakia, njësoj si Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Asnjëra prej këtyre vendeve nuk do ta kalojë Atlantikun këtë verë.
Kosova mund të jetë shumë afër paraqitjes historike në Kupën e Botës, por Foda ka thënë se tani duhet qetësia.
“Kemi tifozë emocionalë, por ne duhet të kemi kujdes dhe të mos lejojmë të bëjmë gabime. Suksesi arrihet vetëm duke qëndruar të qetë”.
Ylli i Kosovës, sulmuesi Vedat Muriqi, i cili luan për Mallorcan në Spanjë, ka thënë se arritja në Kupën e Botës është kulmi i karrierës së një futbollisti dhe se tani ka mbetur vetëm “një hap i vogël”. “Më pas mund t’u sjellim gëzim njerëzve në gjithë Kosovën”, ka thënë ai.
Turqia – e renditur në pozitën e 23-të në renditjen botërore – megjithatë paraqet sfidë të madhe.
“I dimë kualitetet e Turqisë. Është ekip më i mirë se Sllovakia. Por po ashtu i dimë edhe dobësitë e saj”, ka thënë sulmuesi. “Ne do ta japim më të mirën. Me përkrahjen e tifozëve tanë, besoj se do të jetë më e lehtë”.
Në vitin 2021, Kosova përfundoi e fundit në grupin kualifikues për Kupën e Botës duke e fituar vetëm një ndeshje. Para shortit për edicionin 2026, kosovarët ishin të renditur në pozitën e 99-të kur hynë në kualifikime, madje edhe prapa Luksemburgut.
Kosova ishte autsajdere në grupin ku ishin edhe Suedia, Zvicra dhe Sllovenia dhe kualifikimi u duk thuajse i pamundur pas disfatës 4:0 në Basel në ndeshjen e parë. Por, dy fitore ndaj Suedisë, plus një tjetër ndaj Sllovenisë, ia siguruan Kosovës vendin në plejof.
Paraqitja në Kupën e Botës do të ishte arritje e jashtëzakonshme për shtetin që e deklaroi pavarësinë në vitin 2008, dhe që iu bashkua FIFA-s dhe UEFA-s në vitin 2016.
Rashani – që u lind në Suedi dhe u rrit në Norvegji nga prindër kosovarë të cilët u larguan nga vendlindja në vitin 1992 – ishte i pranishëm për pjesën më të madhe të ndërtimit, si dhe njëri prej disa lojtarëve që u ftua nga diaspora për të luajtur.
“Ne gjithmonë kemi pasur besim”, ka thënë ai.
“Më kujtohet trajneri i parë, Albert Bunjaki, në kohën kur krijohej ekipi përfaqësues. Ai e mori makinën e tij dhe ka udhëtuar në gjithë Evropën për të na parë një nga një, neve lojtarëve, dhe na tregonte për projektin dhe na bindte për të luajtur për Kosovën. Kështu që, prej atëherë, kemi mundur të ndiejmë që kjo është diçka e veçantë”.
Kosova kishte 180 minuta për t’u kualifikuar në “Euro 2020”, kur përfaqësuesja u godit me disa mungesa për shkak të koronavirusit dhe humbi 2:1 në plejof nga Maqedonia e Veriut. Rashani luajti në atë ndeshje në Shkup, dhe e di avantazhin që tifozët vendës mund të ofrojnë kësaj radhe.
“Gjithmonë i them shoqërisë, nuk ke nevojë të ngrohesh kur luan për Kosovën, rrëqethet trupi vetëm duke i dëgjuar përkrahësit”.
Kësaj radhe, megjithatë, Rashani do të duhet të zgjohet para orës 5 në mëngjes për ta parë finalen e plejofit si tifoz, nga shtëpia e tij në Australi.
“Njerëzit në gjithë botën që kanë lidhje me Kosovën do ta shohin këtë ndeshje. Është ndeshje kaq e madhe për ne dhe shpresoj që do t’ia dalim”.