Xherdan Shaqiri udhëhoqi Baselin drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Zvicrës për edicionin 2024/2025. Baseli e siguroi titullin e 21-të në elitën e futbollit helvetik dhe të parin prej vitit 2017.
Vendimtar në një tjetër sukses të Baselit, përkatësisht ekipit U17, ishte një tjetër futbollist shqiptar. Bëhet fjalë për Muhamed Kurtishin. Ai shënoi golin e fitores 2:1 të Baselit U17 në finale kundër Luzerni. Kurtishi shënoi golin e fitores në minutën e 47-të në ndeshjen që ishte zhvilluar të shtunën.
Baseli fitoi titullin edhe me grupmoshën U16, ndërsa më herët kishte fituar edhe me grupmoshën U19.
Kryetari i Bordit të drejtorëve të Baselit, David Degen, është jashtëzakonisht i kënaqur me rezultatet e arritura nga ekipet e të rinjve.
“Jam i kënaqur me performancën e fortë të ekipeve tona të të rinjve. Këto suksese janë një dëshmi e punës së mirë që po bëhet në kampusin e të rinjve, nga e cila në fund të fundit përfiton ekipi i parë. I përgëzoj të gjithë lojtarët dhe trajnerët, si dhe të gjithë departamentin e të rinjve, me gëzim të madh për këto suksese”, ka thënë të hënën Degen për faqen e klubit.
Te Baseli U17 dhe U16 si dhe grupmoshat tjera paraqiten edhe disa lojtarë tjerë shqiptarë.
Kurtishi 16-vjeçar vjet kishte nënshkruar kontratë profesionale me Baselin deri në vitin 2026. Kurtishi është nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut. Ai luan si sulmues i krahut të majtë. Ai po zhvillohet te Baseli.