Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Finishi i furishëm i Shaqirit ka impresionuar edhe kundërshtarët e tij

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri ka shkëlqyer kur më së shumti duhej – në fazën finale të kampionatit. Dhe falë kontributit të tij të madh, Baseli të dielën e festoi titullin e kampionit të Zvicrës në futboll.

Te Baseli janë plot lavde për kapitenin e kësaj skuadre. Por kontributin e madh të Shaqirit, sidomos në fazën finale të kampionatit, e çmojnë edhe në ekipet rivale të Baselit.

“Ajo që ka arritur Shaqiri është e jashtëzakonshme”, ka thënë trajneri i Servettes, Thomas Haberli. 
“Në javët e fundit ai ka vendosur thuajse secilën ndeshje”, ka shtuar Haberli.

33-vjeçari Shaqiri i realizoi tre gola të shtunën në fitoren 5:2 ndaj Luganos. Një ditë më pas Sevette u ndal në barazim nga Young Boysi dhe kështu Baseli e siguroi titullin që e ka pritur për tetë vjet. 

Në shtatë fitoret e fundit të Baselit, Shaqiri ka kontribuuar me nëntë gola e tetë asistime. Është bilanc i jashtëzakonshëm, shkruan “Blick” të hënën.

Edhe Pa Shaqirin nuk ka festë për Baselin Futboll Pa Shaqirin nuk ka festë për Baselin

“Urime për Baselin, urime për Shaqirin. Ua heqim kapelën”, ka vazhduar Haberli.

Edhe trajneri i Young Boysit, Giorgio Contini, ishte plot lavde për Shaqirin. Ai e njeh shumë mirë Xherdanin nga koha kur ishte ndihmës i selektorit Murat Yakin.

“Jam i lumtur për çdo gol të Shaqirit dhe çdo lëvizje të tij. Ai nuk është vetëm djalosh i këndshëm dhe i shkëlqyer, por njëri prej futbollistëve më të mirë që kemi në Zvicër”, ka theksuar Contini. “Ai luajti rol të madh në atë që Baseli arriti në fund”.

Edhe pronari i Baselit, David Degen, foli në superlativ për Shaqirin. Ai ka treguar se i ka thënë Shaqirit se do t’i ndërtojë një “monument”. Degen ka theksuar se Shaqiri e kishte më së vështiri.

“Ai zgjodhi rrugën më të vështirë. Ai ka mundur të lëvizë për në Arabi Saudite. Por u kthye në Basel dhe e udhëhoqi klubin drejt titullit të parë në tetë vjetët e fundit. E hoqi presionin nga lojtarët e tjerë, që u mundësoi atyre të rriten nën ndikimin e tij. Kjo është një skenë vërtetë e mahnitshme”, ka thënë Degen.

Shaqiri i ka 18 gola dhe 20 asistime në 30 paraqitje kampionale. Vetëm Mohamed Salah i Liverpoolit, Harry Kane i Bayernit dhe Viktor Gyokeres i Sporting Lisbonës kanë kontribut më të madh se Shaqiri në gola dhe asistime në gjithë futbollin evropian. 

Edhe Shaqiri synon fazën e ligës në Champions Futboll Shaqiri synon fazën e ligës në Champions

“Për këtë jam kthyer. Erdha me ambicie, me synime. Kur u largova nga Baseli, klubi gjithnjë ka luajtur për tituj”, ka thënë Shaqiri gjatë festës së zjarrtë të së dielës mbrëma. Synimi i tij i madh ishte titulli i kampionit.

“Nuk kam menduar se do të funksionojë në vitin e parë, por kjo është edhe më mirë. Kemi shansin që të fitojmë dy trofetë. Shanset janë shumë të mira”.

Në finale të Kupës, Baseli takohet me Bielin e kategorisë së tretë. Në kampionat, Baseli i ka edhe tri ndeshje. Shaqirit i duhen gola e asistime të tjera për të thyer rekordin e legjendës Stephane Chapuisat për kontribut në gola gjatë një edicioni. Kontributi i tij në edicionin 2003/04 ishte në 43 gola. 24 prej tyre i kishte realizuar vetë. Aktualisht Shaqiri ka kontribut në 38 gola.  


Mediat zvicerane vlerësojnë meritat e Shaqirit për titullin e Baselit

Mediat zvicerane kanë shkruar shumë në fundjavë dhe të hënën për titullin e Baselit dhe për kontributin e madh të Xherdan Shaqirit në këtë sukses.

Edhe Shaqiri udhëhoqi Baselin drejt titullit të pritur gjatë Futboll Shaqiri udhëhoqi Baselin drejt titullit të pritur gjatë

“Personi që e bëri të mundur këtë sukses ishte Xherdan Shaqiri”, ka shkruar NZZ.
“Sa herë të përmendet titulli i 21-të i Baselit, mendja do të shkojë te Shaqiri”, ka shkruar Basler Zeitung. 

CH-Media po ashtu ka përmendur formën e jashtëzakonshme të Shaqirit, njëjtë si “Blick”, “20 Minuten”, “Bluewin.ch” e mediat e tjera.