Futboll

Barça e nis mbrojtjen e titullit ndaj Mallorcas së Muriqit

Barcelona

Foto: Associated Press

Vedat Muriqi me Mallorcan do të jetë kundërshtari i parë i Barcelonës në edicionin e ri në La Liga.

Barça të shtunën nga ora 19:30 e fillon mbrojtjen e titullit pikërisht në udhëtim te Mallorca. Gjiganti katalunas edicionin e kaluar e dominoi tërësisht futbollin spanjoll.

E fitoi La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.

Barcelona ndeshjen hapëse të sezonit në La Liga e ka humbur vetëm një herë në 16 sezonet e fundit. Ndërkohë Mallorca nuk e ka humbur ndeshjen e parë në nëntë edicionet e fundit. Trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate, i ka humbur të gjitha tetë ndeshjet e tij të fundit kundër Barçës.

Mallorca edicionin e kaluar përfundoi në pozitën e dhjetë me 48 pikë. Sulmuesi kryesor i Mallorcas është Muriqi.

Reprezentuesi i Kosovës edicionin e kaluar kishte shënuar gol ndaj Barçës në disfatën që e pësoi Mallorca 5:1.

Ndërkohë Real Madridi ndeshjen e parë në edicionin e ri e luan të martën në shtëpi nga ora 21:00 ndaj Osasunas.

Reali edicionin 2024/25 e mbylli në vendin e dytë me 84 pikë. Klubi mbretëror në edicionin e ri do të drejtohet nga trajneri Xabi Alonso.

Skuadra tjetër e madhe spanjolle, Atletico Madrid, ndeshjen e parë të edicionit 2025/26 e luan të dielën në udhëtim ndaj Espanyolit nga ora 21:30.