Përditësim, 22:39 - Ballkani i Suharekës është kualifikuar në raundin e tretë të Ligës së Konferencës. Nënkampioni i Kosovës në futboll e eliminoi Florianan e Maltës, ndërsa ndeshja e parë doli të jetë vendimtare.
Ballkani kishte fituar 4:2 në ndeshjen e së martës së javës së kaluar, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të enjten mbrëma në Paola të Maltës, suharekasit barazuan 1:1 me Florianan. Me rezultatin e përgjithshëm 5:3, Ballkani avancon tutje.
Në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, Ballkani përballet me Shamrock Roversin e Irlandës së Veriut.
Në ndeshjen e së enjtes, Floriana kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 38-të. Dunstan Vella ishte realizator.
Kur pritej që pjesa e parë të përfundonte 1:0, në skenë doli sulmuesi nigerian i Ballkanit, Sunday Adetunji. Ai shënoi për 1:1 në minutën e parë shtesë. Adetunji realizoi me goditje të ulët nga distanca.
Pjesa e dytë nuk dha gola, ndërsa Ballkani ia doli të mbajë rezultatin 1:1, përkatësisht epërsinë prej dy golave nga ndeshja e parë.
Ballkani e kërkon fazën e ligës në Conference League. Për këtë i duhet të kalojë edhe dy kundërshtarë. Suharekasit ishin dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës, në edicionet 2022/2023 dhe 2023/2024. Faza grupore vjet u zëvendësua me fazë të ligës.
Ballkani vjet u ndal në raundin e tretë kualifikues, ndërsa këtë herë vlerësohet me gjasa të mira për të kaluar të paktën në plejof.
Barazon Ballkani
Përditësim, 21:33 - Ballkani ka barazuar rezultatin në ndeshjes ndaj Florianas në Maltë.
Për 1:1 shënoi Sunday Adetunji në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Tani skuadra suharekase ka epërsi prej dy golave, të krijuar në ndeshjen e parë.
Me rezultatin 1:1 përfundoi pjesa e parë.
Adetunji shënoi me goditje nga distanca.
Ballkani po pëson 1:0 në Maltë
Ballkani ka pësuar gol në ndeshjen ndaj Florianas në Maltë.
Për 1:0 në të mirë të skuadrës malteze realizoi Dunstan Vella në minutën e 38-të.
Ballkani ka epërsi prej dy golash nga ndeshja e parë.