Futboll

Te Ballkani të matur me gjithë fitoren

Ballkani

Ballkani e fitoi 1:0 ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj Shamrock Roversit të Irlandës. Në rast se e ruan këtë rezultat, avancon në fazën e plejofit të garës së tretë të UEFA-s për nga niveli. Nëse mposhtet, e përfundon aventurën evropiane për këtë edicion. Pavarësisht fitores me një gol dallim ndaj Shamrockut irlandez, te Ballkani kanë qenë të matur. Kështu është shprehur të premten për KOHËN trajneri i skuadrës suharekase, Orges Shehi.

Shehi ka theksuar se asgjë nuk ka mbaruar dhe se kualifikimi do të vendoset në ndeshjen kthyese që luhet javën tjetër në “Tallaght Stadium” në Dublin.

Golin e fitores, të enjten mbrëma e realizoi sulmuesi Sunday Adetunji. Adetunji në minutën e 56-të pranoi top të mirë në zonë nga Gerald Smajli. U shmang mirë nga një mbrojtës dhe e mposhti portierin kundërshtar për golin e vetëm në mbrëmjen e së enjtes në stadiumin “Fadil Vokrri”. Goli i Adetunjit ishte i pari në portën e skuadrës irlandeze pas katër ndeshjeve rresht, ku i kishte tri fitore e një barazim. Adetunji ndaj Shamrockut kishte realizuar edhe sa ishte pjesë e Shkupit, në kualifikimet e Ligës së Evropës. 

Trajneri Shehi theksoi se skuadra e tij e dominoi Shamrock Roversin e Irlandës, por kjo mund të mos mjaftojë. Duhet edhe më shumë punë për duelin kthyes.

“Na vjen mirë që dominuam dhe shfaqëm shumë në fushë për shumë minuta. Rastet janë produkt i lojës së rrjedhshme dhe interpretimit. Sigurisht që do të donim t’i shfrytëzonim më mirë rastet që i kishim, por ky është futbolli dhe duhet ta kuptojmë që e ka edhe fatin brenda”, ka deklaruar trajneri Shehi.

Ai u është referuar mundësive që i patën Adetunji e Almir Kryeziu në disa momente. Por është i kënaqur me fitoren dhe paraqitjen në tërësi, përballë skuadrës më të suksesshme irlandeze.

“Kemi bërë një ndeshje të mirë përballë një kundërshtari të vështirë. Jam i kënaqur me djemtë, sepse treguan që mund të përballen me këdo në të gjitha drejtimet. Përqendrimi është te ndeshja e kthimit, jo te plejofi”, deklaroi 47-vjeçari.

Nëse e eliminon Shamrock Roversin, Ballkani do të përballet me Larnen e Irlandës së Veriut apo Santa Claran e Portugalisë në plejofin e Ligës së Konferencës. Skuadra portugeze e fitoi ndeshjen e parë 3:0 në udhëtim.

Ndeshjet e para të plejofit të Ligës së Konferencës luhen më 21 gusht, ndërsa ato kthyese pas një jave.

“Ballafaqimi pas një jave e vendos kualifikimin. Për çdo skuadër do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë”, ka thënë Shehi.

Skuadra e Ballkanit është e vetmja nga Kosova që ka marrë pjesë dy herë rresht në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Vjet ishte ndalur në raundin e tretë kualifikues, duke mos ia dalë ta siguronte fazën e ligës, që e zëvendësoi atë grupore.

Shpresa për këtë edicion ka edhe sulmuesi i krahut, Almir Kryeziu.

“Fituam, por kishim edhe disa raste të mira shënimi. Kualifikimi është i mundur, duke e parë lojën që e kemi bërë, por e dimë që nuk do ta kemi të lehtë”, ka theksuar Kryeziu.

Suksesin e fazës grupore, tri herë kampioni i Kosovës e kishte arritur në edicionet 2022/2023 dhe 2023/2024.

Shamrock Rovers vitin e kaluar e avancoi në Ligën e Konferencës, ndërsa u ndal nga Molde në plejofin e fazës nokaut.

Shamrocku është skuadra më e suksesshme irlandeze me 21 tituj e 25 trofe të Kupës së Irlandës. Në kualifikimet e kupave evropiane luan prej edicionit 1957/1958, ndërsa ka paraqitje edhe në fazën grupore të Ligës së Evropës.