Lindon Emërllahu ishte futbollisti i fundit që nga skuadra e Ballkanit, ka lëvizur drejt një ekipi që bën gara në skenën ndërkombëtare.
Emërllahu u transferua te skuadra e Clujit për shumën e raportuar prej 700 mijë eurove.
Ai të enjten debutoi në miqësoren ndaj Voluntarit.
Emërllahu nuk është i vetmi që ka luajtur te Ballkani, e më pas ka bërë lëvizje drejt skenës ndërkombëtare.
Ballkani mburret me lojtarët që kanë dhënë kontributin për skuadrën suharekase që është fitues i tre titujve të fundit në Kosovë, krahas shumë sukseseve tjera.
Dy herë rresht ishte pjesëmarrës edhe në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Ballkani të enjten në mbrëmje, postoi një fotografi me 13 lojtarë që kanë pjesë e ekipit suharekas.
Përveç Emërllahut, hapin drejt skenës ndërkombëtare e kanë bërë edhe Armend Thaqi, Arbër Hoxha, Meriton Korenica, Mirlind Daku, Jetmir Topalli, Albin Berisha, Lumbardh Dellova, Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani, Edvin Kuç, Qëndrim Zyba e Nazmi Gripshi.
Thaqi ishte transferuar te Cluji po ashtu, por nuk kishte qëndruar gjatë. Tani është pjesë e Gjilanit.
Arbër Hoxha ishte transferuar te NK Lokomotiva.
Meriton Korenica ka luajtur për Manisan kur u transferua nga Ballkani, ndërsa tani është pjesë e Clujit.
Mirlind Daku u bë pjesë e Osijekut nga Ballkani. Tani paraqitet te Rubin Kazani në Rusi, me plot sukses.
Ermal Krasniqi u bë pjesë e Clujit po ashtu nga Ballkani, ndërsa tani me Albion Rrahmanin luajnë te Sparta e Pragës në Çeki. Albion Rrahmani lëvizjen e parë nga Ballkani e kishte bërë në drejtim të Rapidit të Bukureshtit.
Lumbardh Dellova ishte transferuar te CSKA Sofja, kurse Qëndrim Zyba që një herë ishte huazuar te Legia e Varshavës, në verën e vitit të kaluar u transferua te Slovan Libereci.
Nazmi Gripshi nga Ballkani u transferua tek Astana në Kazakistan, kurse ish-kapiteni Edvin Kuç tani luan te Neftchi, në Azerbajxhan.
Në kampionatin rumun nga Ballkani u transferua edhe Albin Berisha, te Petroluli.
Ndërkohë, nga Ballkani për te Malatyaspori, ishte transferuar Jetmir Topalli.
Ballkani në edicionin aktual e ka humbur hapin për titull kampioni.
Aktualisht ka 36 pikë dhe zë vendin e dytë.
Lidere është Drita me 43 pikë.
“Pak kush mund të ketë besuar dikur, por ne ishim të vendosur, gjithmonë! Rrugën që filluam ta shtrojmë nga viti 2017, e dinim se do të jetë e vështirë, e mbushur me sfida e sakrificë, por ne ishim të vendosur, gjithmonë! Hap pas hapi, ditë pas dite, punuam pa rreshtur, hapëm dyert për talentët tanë, punuam me ta, ua shtruam rrugën e sigurt, duke ndërtuar një kala të pathyeshme, nga e cila do të do të fillonte epoka e lavdisë! Brenda pak vjetësh, historia e futbollit shtetëror mori një kthesë të madhe ndërkombëtare, derisa klubi ynë u shndërrua në vatër të këtij suksesi të përvjetshëm. Kombëtaret tona fituan futbollistë klasi nga puna jonë, derisa për yjet që krijuam, hapëm rrugë e mundësi evropiane. Sot këta djelmosha të shkëlqyer, e prezantojnë më së miri angazhimin e secilit prej nesh, duke u shndërruar në protagonistë në shumë klube anë e kënd Evropës. Faleminderit nga të gjithë! Ashtu siç kemi bërë deri tani, do të vazhdojmë të ndërtojmë rrugë të reja, për suksese të reja e kampionë të rinj. Ky është vetëm fillimi sepse pavarësisht çdo stuhie me të cilën mund të ballafaqohemi, ne jemi të vendosur, gjithmonë!”, ka shkruar Ballkani në Facebook.