Nënkampioni i Kosovës, Ballkani, të martën ka konfirmuar kthimin e Nderim Nexhipit si drejtor sportiv pas largimit të Omer Bunjakut.
Në një njoftim në Facebook, Ballkani ka shkruar se Nexhipi po kthehet për t’i vazhduar sukseset historike.
“Të dashur tifozë dhe gjithë ju përkrahës të FC Ballkanit, kemi kënaqësinë që para jush ta prezantojmë njërin prej atyre që kontribuoi fort në fillimin e vazhdimin e sukseseve tona historike. Ai gjithmonë ka qenë dhe mbetet njëri prej nesh, por tani rikthehet përsëri në fole për ta rimarrë pozicionin e drejtorit sportiv në klub dhe për të shkruar etapa të reja së bashku. Mirë se rikthehesh Nderim Nexhipi! Na priftë e mbara, kampion!”, ka shkruar skuadra nga Suhareka.
Me Nexhipin si drejtor sportiv, Ballkani ka arritur rekorde historike, duke u kualifikuar dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Madje, u shpall edhe tri herë rresht kampion i Kosovës dhe një herë fitues i Kupës. Shiti edhe disa lojtarë në klube të ndryshme në Evropë.
Këtë sezon, Ballkani e përfundoi në vendin e dytë dhe u eliminua herët në Kupë. Kualifikimet e Ligës së Konferencës do t'i nisë nga rundi i dytë.