Artikull i përditësuar - Ballkani ndonëse i shënoi dy gola, me shumë mund i ka marrë pikët e plota ndaj Drenicës të premten, në xhiron e tretë të elitës së futbollit kosovar.
Ballkani fitoi 2:0 me trajnerin e ri, Sami Sermaxhaj, por lehtë rezultati do të mund të ishte ndryshe. Sermaxhaj u zyrtarizua të enjten si trajner i ri i Ballkanit, ndërsa në këtë post erdhi pas largimit të trajnerit kroat, Mislav Karoglan.
Golat e fitores në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj i shënuan mbrojtësi Abou Dosso dhe mesfushori Leart Popaj. Mbrojtësi i krahut të majtë nga Bregu i Fildishtë, Dosso, në minutën e 70-të kaloi tre futbollistë të “kuqezinjve” dhe gjuajti fuqishëm për golin e epërsisë. Dhe në fundin e ndeshjes, përkatësisht në minutën e tretë të kohës shtesë, Popaj shënoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar, 2:0.
Drenica në minutën e 36-të e kishte mundësinë të kalonte në epërsi. Por, nga pika e penalltisë dështoi të realizonte Genc Hamiti.
Raste deri në fund të ndeshjes pati nga të dyja skuadrat, por ishte Ballkani që shënoi dy herë. Dy minuta pas shënimit të golit nga mbrojtësi Dosso, Ballkanit iu anulua me VAR për pozitë jashtë loje goli i Albin Berishës. Krejt në fund të ndeshjes, suharekasit shënuan edhe një herë tjetër pas një aksioni të mirë me Popajn për fitoren e radhës në kampionat.
Ballkani pas tri ndeshjeve i ka gjashtë pikë. Fitoi edhe ndaj Vushtrrisë 2:1, ndërsa u mposht në xhiron e parë 4:2 nga Prishtina.
Për Drenicën ishte disfata e parë, pas dy barazimeve në nisje të kampionatit. Në nisje të kampanjës së re të elitës së futbollit kosovar, Drenica barazoi pa gola me Dukagjinin, ndërsa në duelin e kaluar me Malishevën në udhëtim, luajti baras 1:1.
Edhe
Goluboviq, hero i Ballkanit në fitoren ndaj Drenicës
Nga dy ndeshje në Superligën e Kosovës do të luhen të shtunën dhe të dielën.
Të shtunën në program janë ndeshjet Feronikeli 74 – Malisheva dhe Gjilani – Dukagjini. Ndeshja në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas luhet nga ora 16:30, ndërsa ajo në terrenin me bar sintetik në Gjilan, nis në orën 19:00.
Të dielën në orën 16:30, Vushtrria e pret Dritën, teksa në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 19:00, luhet derbi Prishtina – Llapi.