Futboll

Ballkani kthehet në garën ku e shkroi historinë

ballkani

Ballkani pati shumë suksese në futbollin e Kosovës brenda pak vjetëve, ndërsa ka fituar shumë eksperiencë në skenën evropiane. Tri herë kampioni i Kosovës përvojën e marrë nga e kaluara, do të mundohet ta shfrytëzojë për paraqitje sa më dinjitoze në edicionin e ri kualifikues të Ligës së Konferencës. Liga e Konferencës e organizuar nga UEFA është gara e tretë për nga niveli. Por asnjë skuadër tjetër e Kosovës nuk e ka përsëritur suksesin e arritur nga Ballkani. Dhe të martën, suharekasit kthehen në garën ku e shkruan histori. 

Rrugëtimin evropian për edicionin 2025/26, Ballkani e nis në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Më 22 korrik nga ora 20:30, e luan ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Përballë do ta ketë skuadrën nga Malta, Floriana. Floriana ishte më e suksesshme se Haverfordwesti i Uellsit në rrethin e parë kualifikues dhe avancoi tutje. Rrjedhimisht, Ballkani kishte më shumë kohë për përgatitje dhe për trajnerin Orges Shehi ky mund të jetë aspekt pozitiv. Tekniku nga Durrësi i Shqipërisë e ka pranuar një gjë të tillë për KOHËN të dielën. 

“E dimë se me kë do të përballemi. I kemi parë ndeshjet që i ka luajtur kjo skuadër dhe e kemi analizuar. Është ekip që duhet vlerësuar dhe për më tepër, nuk besoj që ka ekipe të lehta në Evropë”, ka deklaruar Shehi i matur dhe me respekt për Florianan. 

47-vjeçari është i kënaqur me grupin dhe prurjet e reja, për të cilat ka thënë se janë adaptuar mirë. Në këtë afat kalimtar Ballkani e ka transferuar Ardit Deliun, Albert Dienen, Ivica Batarelon dhe Valentin Sereben. Ndërkohë, janë larguar Bernard Karrica, Queven da Silva Inacio, Eris Abedini, Egzon Sinani, Elmando Gjini, Almir Oda, Arjol Bllaca dhe Uheid Hoxha. 

Floriana është 26 herë fitues i Premier Leagues së Maltës dhe 21 herë fitues i Kupës malteze. 

“Floriana është skuadër me individë cilësorë dhe përbëhet nga shumë lojtarë të huaj. Është ekip që do ta vlerësojmë në maksimum”, ka theksuar Shehi. 

Por ai e pranon se Ballkani e ka përvojën për t’u përballur me kundërshtarë të këtij niveli. 

Ballkani debutoi në skenën kontinentale në edicionin 2022/23, kur edhe e siguroi fazën grupore të Ligës së Konferencës. Ishte eliminuar nga Zhalgirisi në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, por më pas kaloi kundërshtar, si La Fiorita, KI Klaksvik e Shkupi në “Conference League”, për të bërë vend në fazën grupore. Pati paraqitje të mirë në Grupin G ku i fitoi katër pikë me kundërshtarë, si Slavia Praga, Cluji e Sivasspori. 

Menjëherë në edicionin pasues 2023/24, Ballkani fitoi ndaj Ludogoretsit 2:0 në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të Championsit, por u eliminua në ndeshjen kthyese pas disfatës 4:0. Pasi u bart në kualifikimet e Ligës së Konferencës, eliminoi skuadra, si Larne, Lincoln Red Imps e BATE Borisov. Fitorja 2:0 ndaj Dinamo Zagrebit vlerësohet më e madhja deri tani. Këtë e arriti në Grupin C, ku po ashtu i fitoi katër pikë, por mbeti në vendin e fundit në grup, ku ishin edhe Viktoria Plzeni dhe Astana. 

Në edicionin e kaluar, Ballkani u eliminua në rrethin e parë kualifikues të Champiosnit nga Santa Coloma e Andorrës, fitoi ndaj Hamrun Spartansit të Maltës në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, por u eliminua në rrethin e tretë nga Larne e Irlandës së Veriut.  

“Ballkani e ka përvojën dhe i ka cilësitë për t’u futur me qëllim të qartë, për të kaluar sa më shumë raunde”, përfundoi tekniku durrsak Shehi. 

Përvojë në skenën evropiane ka edhe Floriana që debutoi në kualifikimet e Kupës së Fituesve të Kupave në edicionin 1961/62. Dy herë ka luajtur në grupet e Kupës Intertoto. 

Ballkani përgatitjet i nisi më 9 qershor në Kosovë, ndërsa u përgatit edhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut. 

Në Kosovë e në shtetin fqinj, Ballkani i zhvilloi pesë miqësore, ku i pati dy fitore, dy humbje e një barazim. Fitoi ndaj Rabotniqkit e Strugës, humbi nga Dinamo City e Gjilanit, ndërsa barazoi me Ferizajn.