Futboll

Avdullahu në Kosovë, flet me optimizëm për ndeshjen me Zvicrën

Leon Abdullahu

Leon Avdullahu ka ardhur edhe në të kaluarën në Kosovë. Por ardhja e së hënës në mëngjes ishte ndryshe nga e kaluara. 

Mesfushori i Hoffenheimit zbriti për herë të parë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” si lojtar i Kosovës.

Pas pak ditësh, Avdullahu do të udhëtojë për në Basel, ku i kaloi shumë vjet. Rrugën do ta bëjë bashkë me lojtarët e tjerë të Kosovës.

Synimi i futbollistit është fitorja me Kosovën ndaj Zvicrës, përfaqësueses së vendit ku u lind dhe u zhvillua si lojtar.

Pas arritjes në Prishtinë, 21-vjeçari foli për herë të parë për vendimin që e mori javën e kaluar për t’iu bashkuar Kosovës. 

Ai është pritur në aeroport nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Jam i kënaqur me vendimin që kam marrë. Do të luaj me zemër dhe jam i lumtur që kam marrë këtë vendim. Shpresoj të arrij gjëra të mëdha me Kosovën”, ka thënë Avdullahu në pyetjen e bërë nga KOHA. 

Ai ka insistuar se projekti i FFK-së ia ka bërë edhe më të lehtë vendimin për ta përfaqësuar Kosovën e jo Zvicrën në nivel ndërkombëtar.

Avdullahu është i lindur në Solothurn të Zvicrës, ndërsa është zhvilluar te Baseli nga viti 2018. Në ekipin e parë ka luajtur nga viti 2023, me sukses të plotë. 

Ai në korrik iu bashkua ekipit elitar të Gjermanisë, Hoffenheim. Ishte prej lojtarëve kryesorë në suksesin e Baselit edicionin e kaluar dhe u vlerësua truri i mesfushës. 

Avdullahu ka luajtur gjashtë ndeshje për U21 të Zvicrës. Ishte kapiten i ekipit U21 së fundi. 

“Projekti sportiv i Federatës së Futbollit të Kosovës më ka pëlqyer shumë. Kjo ka bërë që edhe më lehtë të marr vendim”, ka theksuar Avdullahu.

Ai mezi pret të njoftohet me pjesën tjetër të ekipit. Thotë se vetëm Fisnik Asllanin e njeh momentalisht. Me Asllanin është bashkëlojtar te Hoffenheimi.

“Personalisht nuk i njoh. E njoh vetëm Fisnikun, por të tjerët pres t'i njoftoj gjatë grumbullimit”. 

Kosova e nis të premten ciklin kualifikues për Kupën e Botës 2026. Luan ndaj Zvicrës në hapje të kampanjës kualifikuese. Ndeshja luhet në Basel, ku Leoni u zhvillua dhe shkëlqeu si lojtar. 

“Shpresoj të fitojmë, të bëjmë lojë të mirë. Zvicra është favorite, por edhe ne kemi ekip të mirë dhe do të jetë lojë e fortë”, ka theksuar Avdullahu.

Ai premton maksimumin për “Dardanët”

“Do ta jap gjithmonë maksimumin për Kosovën”.

Ai ka përsëritur se ka vendosur me zemër ta bartë fanellën e Kosovës.

“Kam zgjedhur me zemër dhe për projektin”, thotë mesfushori.

Te Hoffenheimi është edhe qendërmbrojtësi Albian Hajdari. Ai e ka lënë derën e hapur për Kosovën, ndonëse ka debutuar te Zvicra.

“Kemi biseduar me Fisnikun për atmosferën. Shpresoj edhe ai (Albian Hajdari v.j.) do të vendosë vetë për të ardhmen”, ka thënë Avdullahu.

Bashkë me Kosovën e Zvicrën në grupin B janë edhe Suedia dhe Sllovenia. Leon Avdullahu thotë se Kosova ka gjasat e saj në grup.

“Gjithçka është e mundur dhe jam gjithmonë optimist dhe pozitiv”, ka thënë ai. 

Kosova më 8 shtator e luan ndeshjen e dytë kualifikuese, ndaj Suedisë.