Futboll

Leon Avdullahu zgjedh Kosovën para Zvicrës

Leon Avdullahu

Leon Avdullahu do të paraqitet për Kosovën në të ardhmen. Ai ka vendosur ta përfaqësoj Kosovën, ka bërë të ditur të hënën mbrëma kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. “Pritjes i erdhi fundi, Leoni është i Kosovës”, e ka nisur shkrimin kryetari Ademi në faqen e tij në facebook. “Ndjej kënaqësi të ndaj me ju lajmin e madh se Leon Avdullahu, i udhëhequr nga zemra e tij, ka vendosur që të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Leoni më njoftoi sonte për vendimin e madh, që pason takimin që kishim pak kohë më parë kur edhe i kishim diskutuar të gjitha gjërat.

Leoni me këtë vendim dëshmoi edhe një herë fuqishëm që Kosova mbetet zgjedhje zemre dhe se identiteti e prejardhja nuk mohohen. Mirë se vjen Leon, le të nisim së bashku një rrugë të gjatë e të suksesshme për ekipin kombëtar të Kosovës dhe për Ty.

Të priftë e mbara me Kosovën!”, shkruan Ademi.

Avdullahu është 21-vjeçar. Ai së korrik iu bashkua ekipit elitar të Gjermanisë, Hoffenheim nga skuadra e Baselit. Avdullahu ka luajtur gjashtë ndeshje për U21 e Zvicrës. Ka luajtur edhe në grupmoshat tjera të shtetit helvetik.

Te Zvicra kishin pasur takim me Avdullahun javë më parë. Takimi ishte mbajtur për të bindur Avdullahun të mbetet pjesë e Zvicrës.