Futboll

Asllani vlerësohet edhe nga “L’Equipe”

Fisnik Asllani

Fisnik Asllani është njëri prej lojtarëve më në formë në kampionatin elitar të Gjermanisë me shtatë gola të shënuar e tri asistime, në 17 paraqitje.

Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re në disa mediume të mëdha, të cilat kanë shkruar për të. Madje ka pasur edhe raportime për një transferim të madh në verë. Mediume të ndryshme kanë shkruar se Asllani po monitorohet nga Bayern Munichu e Dortmundi në Gjermani, dhe Barcelona në Spanjë.

Tashmë vëmendja është bartur në Francë.

“L’Equipe”, njëra prej mediumeve më të fuqishme franceze, e ka vlerësuar Asllanin si njërin prej lojtarëve më të mirë në pjesën e parë të kampionatit.

Në formacionin më të mirë të “L’Equipe” në Bundesligë deri tani, Asllani i prin sulmit bashkë me Harry Kanen.

Kane në superformë është golashënuesi më i mirë i Bundesligës me 19 gola e tri asistime në 15 ndeshje të luajtura.

Formacioni i “L’Equipe” është me rreshtimin 4-4-2.

Në portë është Kobel, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Raum, Schlotterbeck, Upamecano dhe Laimer. Para tyre në mesfushë janë Garcia dhe Kimmich, ndërsa në krah janë Olise dhe Diomande, kurse sulmi përbëhet nga Kane e Asllani, futbollisti i Kosovës.