Arsenali ka fituar të shtunën ndeshjen dramatike ndaj Bournemouthit me përmbysje të rezultatit 3:2. Për “Topçinjtë” është fitorja e shtatë rresht në të gjitha garat.
Ndeshja e zhvilluar në “Vitality Stadium” i takoi javës së 20-të të kampionatit anglez. Arsenali vazhdon ta ruaj pozitën e parë me 48 pikë.
Bournemouthi ka 23 pikë dhe është në mesin e tabelës.
Evanilson e kaloi në epërsi Bournemouthin në minutën e dhjetë. Ai shënoi pas gabimit që e bëri mbrojtësi Gabriel Magalhaes.
Braziliani Gabriel gjashtë minutë më pas e përmirësoi gabimin duke i barazuar shifrat.
Golin e epërsisë 2:1 për Arsenalin e realizoi Declan Rice në minutën e 54-t.
Anglezi Rice e shënoi edhe golin e tretë e që ishte edhe i fitores në minutën e 71-të.
Golin e dytë për Bournemouthin e shënoi Eli Junior Kroupi në minutën e 77-të por që në fund nuk mjaftoi për t’ia rrezikuar fitoren Arsenalit.