Futboll

Arbitri kosovar i jep dy kartonë të verdhë, por nuk e përjashton lojtarin

aar

Mediat në Hungari, por edhe në Kroaci dhe vende të tjera kanë raportuar për këtë rast. Mediumi hungarez “m4sport” e ka vlerësuar Bejtullahun “arbitër pa përvojë”.

Arbitri kosovar i futbollit, Mervan Bejtullahu, ishte protagonist në një ndeshje evropiane të enjten. Bejtullahu e ka drejtuar ndeshjen mes Gyorit hungarez dhe Pyunikut të Armenisë, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

Pyuniku e kishte fituar 2:1 ndeshjen e parë në Armeni, ndërsa Gyori fitoi 3:1 në ndeshjen e dytë dhe u kualifikua tutje. Golin për 3:1, përkatësisht të kualifikimit, e shënoi kroati Daniel Shtefulj në minutën e 90-të. Pas golit ai festoi duke e hequr fanellën dhe Bejtullahu e ndëshkoi me karton të verdhë.

Pesë minuta më pas, 25-vjeçari Shtefulj bëri ndërhyrje të rrezikshme, duke goditur në fytyrë kundërshtarin në një ngritje të pakontrolluar të këmbës. Bejtullahu sërish ia tregoi kartonin e verdhë.

Me dy kartonë të verdhë lojtari përjashtohet nga loja. Por Shtefulj mbeti në fushë, ndërsa Bejtullahu nuk e përjashtoi me të kuq.

Për disa çaste, Bejtullahu ishte i hutuar. U konsultua me ndihmësit e tij, por vendosi ta vazhdojë ndeshjen pa e përjashtuar lojtarin me dy kartonë.

Duket që Bejtullahu ka ngatërruar lojtarët. Sipas raportit zyrtar të UEFA-s, kartonin e dytë të verdhë e mori Dejan Boldor. Shtefulj në fanellë kishte numrin 23, ndërsa Boldor numrin 25. Dhe ndoshta për këtë erdhi te gabimi. Bejtullahu është parë duke u afruar te të dy lojtarët, i ka pyetur ata, ndërsa kroati ka bërë me shenjë në drejtim të Boldorit. Por Bejtullahu, megjithatë, vazhdoi ndeshjen pa përjashtuar lojtarin me dy kartonë të verdhë. 

Mediat në Hungari, por edhe në Kroaci dhe vende të tjera kanë raportuar për këtë rast. Mediumi hungarez “m4sport” e ka vlerësuar Bejtullahun “arbitër pa përvojë”.

Ky medium ka shkruar se ndeshja nuk do të përsëritet, ndër të tjera, për shkak se gabimi i arbitrit nuk kishte ndikim direkt në rezultatin e lojës.

“Do të ketë vetëm një pasojë reale: arbitri mund të suspendohet apo të mos delegohet në të ardhmen e afërt”.

Gabime të arbitrave ka herë pas here. Për shembull Graham Poll i kishte dhënë Josip Shimuniqit të Kroacisë tre kartonë të verdhë dhe e kishte përjashtuar vetëm pas të tretit.

Ndihmës të Bejtullahut ishin Edmond Zeqiri dhe Fatmir Sekiraqa. Arbitër i katërt i kësaj ndeshjeje evropiane ishte Rrezart Hasanaj. 

Bejtullahu është njëri prej arbitrave më të njohur në futbollin kosovar.

Ndonëse mediat hungareze e kanë lënë të hapur mundësinë e ankesës nga Pyuniku, te klubi armen duket se do ta pranojnë rezultatin.

Trajneri Yegishe Melikyan ka folur për gabimin e Bejtullahut.

“Po, arbitri është dashur t’ia japë Shtefuljit kartonin e dytë të verdhë që do të bënte të kishim një lojtar më shumë në fushë. Por ai nuk ishte vendimi i vetëm i gabuar në fushë. Në minutat e fundit ai ka mundur të na japë penallti për lojë me dorë. Por kjo nuk ka të bëjë asgjë me humbjen”, ka thënë Melikyan, shkruan “magyarnemzet.hu”.

VIDEO:

VIDEO: