Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Alonso i përmbahet qasjes së tij, me gjithë frustrimin e Viniciusit

Vinicius

Vinicius Junior nuk e ka kompletuar ende asnjë ndeshje këtë edicion të Real Madridit, nën urdhrat e trajnerit të ri Xabi Alonso. Kjo ka bërë që ylli brazilian të jetë i frustruar, ndërsa mediat në Spanjë i kanë kushtuar rëndësi të madhe situatës rreth tij, me gjithë fillimin e furishëm të Madridit.

Braziliani 25-vjeçar, që ka shënuar në triumfet e Real Madridit në finalet e Championsit në vitet 2022 e 2024, është zëvendësuar në dhjetë prej 12 ndeshjeve që kur Alonso e mori drejtimin e skuadrës në qershor. Alonso e zëvendësoi Carlo Ancelottin e larguar.

Vini mbeti në stol në dy ndeshje të tjera, duke përfshirë edhe ndeshjen e javës së kaluar në Champions kundër Olympique Marseille.

Ndeshja e së shtunës ndaj Espanyolit nxori në pah situatën e pazakontë. Viniciusi ishte kërcënim konstant në krahun e majtë, ndërsa asistoi në golin e Kylian Mbappes. Po ashtu e goditi shtyllën në njërën prej paraqitjeve më të mira këtë edicion. Por sërish Alonso e zëvendësoi atë, ndërsa braziliani la fushën me shenja të dukshme nervoze në drejtim të trajnerit.

Statistikat e bëjnë situatën edhe më interesante. Viniciusi është lojtari i dytë më i përfshirë në gola i Real Madridit, ndonëse është vetëm i dhjeti për minuta të luajtura.

Alonso është pyetur të hënën për politikën e tij të rotacionit. Ai nuk dha përgjigje të qartë, ndërsa pranoi pakënaqësinë e lojtarit yll.

Edhe Vinicius Junior kritikon dënimin me katër ndeshje Futboll Vinicius Junior kritikon dënimin me katër ndeshje

“Edhe unë isha lojtar dhe kur jam zëvendësuar nuk më ka pëlqyer. Nuk mendoj se është gjë e madhe që lojtari shfaq frustrimin e tij”, ka thënë Alonso në konferencën për shtyp të mbajtur para ndeshjes së La Ligas ndaj Levantes, që zhvillohet të martën.

“Jam i kënaqur me atë që po e bën Vinicius Junior, jemi ende në fazë të hershme të kampionatit. Na duhen të gjithë, jam i lumtur dhe mund të paraqitemi edhe më mirë në pjesën e sulmit”, ka shtuar Alonso.

Tensionet megjithatë nuk kanë ndikuar në rezultatet e Real Madridit. Skuadra mbretërore udhëheq në La Lilga me 15 pikë nga pesë ndeshje. Ka dy më shumë se kampionia në fuqi, Barcelona.