Futboll

Akanji flet për ndeshjen me Kosovën

Manuel Akanji

Pasi u huazua nga Manchester City tek Interi, mbrojtësi Manuel Akanji është bashkuar me përfaqësuesen e Zvicrës.

Njëri prej lojtarëve më të mirë të Zvicrës, Akanji, të mërkurën foli në konferencë për shtyp. Ai është pyetur për ndeshjen e së premtes me Kosovën.

“Nuk kemi pasur kampanjë të mirë në kualifikimet për Kampionat Evropian. Kemi pranuar dy gola të barazimit në momentet e fundit. Këtë të premte përfundimisht synojmë të fitojmë ndeshjen dhe besoj se mundemi. Por nuk është kundërshtare e lehtë. Te Kosova janë të fortë dhe luajnë me agresivitet. Por ne duhet të jemi gati. E dimë që çdo gjë fillon të premten”, ka thënë Akanji.

Ai është pyetur për vendimin e Leon Avdullahut që të luajë për Kosovën.

“Është vendim i tij. Mendoj se kemi ekip më të mirë këtu. Nëse ai dëshiron të luajë për Kosovën, ai duhet të luajë për Kosovën. Nuk mund të them shumë për këtë. Jam i lumtur dhe krenar që luaj për ekipin përfaqësues”, ka thënë Akanji, që ka prejardhje nga Nigeria.