Futboll

Abrashi shfaqet kur klubi ka nevojë më së shumti

Amir Abrashi

Grasshopperi ishte fare pranë largimit nga elita e futbollit të Zvicrës. Por, të enjten mbrëma fituan 2:0 ndaj St. Gallenit dhe tani do të luajë në barazhin për mbetje në elitë.

Kapiteni Amir Abrashi ishte prej kryesorëve brenda dhe jashtë fushës, atëherë kur klubi kishte më së shumti nevojë.

“Amir Abrashi, Amir Abrashi”, kishte brohoritje nga tifozët e Grasshopperit në stadiumin “Letzigrund”.

Kapiteni 35-vjeçar vrapoi shumë dhe kishte saktësi thuajse të përkryer të pasimeve. Dështoi vetëm në një ndërhyrje. Ai e dhuroi edhe asistimin në golin për 2:0, në mënyrë të shkëlqyer.

Pas përfundimit të ndeshjes, Abrashi ka vazhduar jashtë fushës. Ai ka marrë mikrofonin dhe ka kënduar bashkë me tifozët.

“Ishim në situatë të vështirë, por shfaqëm kualitetin që e kemi”, ka thënë Abrashi pas ndeshjes.

Gjatë pushimit mes pjesëve, ai e pa se rezultati i kundërshtarëve do të bënte që me barazim Grasshopperi të binte nga liga direkt.

“Tani e ndiejmë një lloj çlirimi, por ky është vetëm hapi i parë. Tani fokusi jonë është i gjithi tek Aarau”.

Të martën e ardhshme, Grasshopperi e pret Aaraun në ndeshjen e parë të plejofit.

Ndeshja kthyese luhet në Aarau të premten e javës së ardhshme.

“Kam dëgjuar se tek Aarau na kanë kërkuar neve për kundërshtar dhe ja ku jemi më në fund. Ne po vijmë!”, ka theksuar Abrashi.

35-vjeçari, që luan si mesfushor, sezonin e rregullt e mbylli me tri asistime në 33 paraqitje. Tani i ka edhe dy ndeshje tjera për t’i luajtur me klubin e famshëm zviceran.

Grasshopperi e mbylli sezonin në pozitën e 11 me 39 pikë, aq sa kishte edhe Yverdoni në vendin e fundit, por me goldallim më të dobët.

Yverdoni fitoi 3:2 ndaj Zurichut, por kjo nuk i mjaftoi.

Ndërkohë, Winterthuri me fitoren 2:0 ndaj Sionit e ka siguruar mbijetesën pasi ka 40 pikë në vendin e 10-të.