Aston Villa ka hyrë në periudhën festive me serinë e mahnitshme prej dhjetë fitoreve në të gjitha garat dhe me vendin e parë në Premier League si synim të madh.
Fitorja 2:1 ndaj Manchester Unitedit, që ishte e shtata radhazi në Premier League, e la këtë skuadër vetëm tri pikë pas Arsenalit dhe vetëm një pas Manchester Cityt.
Villa së fundi ka fituar 33 pikë nga 36 pikët e mundshme, ndërsa Unai Emery është trajneri që e di se si fitohen trofetë.
Megjithatë, sipas “Opta”, Villa ka gjasa prej vetëm 5,3 për qind për ta fituar titullin e parë të Anglisë që nga viti 1981. Shanset e Arsenalit janë në 68,7 për qind, ndërsa të Cityt 24,7 për qind.
“Villa është aq e mirë sa Arsenali dhe Manchester City. Po luan shkëlqyeshëm, po luan shumë mirë, por thjesht mendoj se nuk do të jetë në garë për titull”, ka thënë ish-ylli i Premier Leagues, Wayne Rooney.
Rooney nuk është i vetmi që vlerson kështu. Por fitoret rresht të Aston Villas e bëjnë të pamundur që kjo skuadër të injorohet. Nëse seria e fitoreve shkon në 12 ndeshje, ata që dyshojnë do të mbesin pa argumente.
Villa i ka 36 pikë nga 17 ndeshje, ndonëse nuk kishte fituar asnjë prej pesë ndeshjeve të para. Kjo skuadër do të luajë me Chelsean e vendit të katërt të shtunën, kurse do të qëndrojë në kryeqytet për t’u përballur me Arsenalin tri ditë më pas.
Do të jetë një provë e madhe për forcën e Villas. Por skuadra nuk do të dekurajohet, thotë Morgan Rogers, shënuesi i dy golave në fitoren e së dielës ndaj Manchester Unitedit.
“Kemi besim te njëri-tjetri. Trajneri ka besim te ne dhe ne dalim në fushë me ndjenjën se do të fitojmë secilën ndeshje”, ka thënë reprezentuesi i Anglisë.
Skeptikët do të përmendin faktin që Villa kishte dy pikë më shumë në këtë fazë në edicionin 2023/2024, por ra në vendin e katërt. Po ashtu Arsenali e City kanë shumë më tepër përvojë në garën për titull. Por te të dy skuadrat do ta shohin Villan si kërcënim.
Kur City dhe Liverpooli po vuanin më herët gjatë edicionit, Arsenali po forcohej në krye dhe dukej favorit absolut për ta fituar titullin e parë që nga viti 2004.
“Topçinjtë” ende udhëheqin, por dallimi tashmë është shumë i vogël. Dhe fakti që Arsenali ishte katër herë në krye të tabelës në periudhën festive të fundvitit dhe më pas mbeti pa titull, do ta bezdisë trajnerin Mikel Arteta.
Arsenali e pret Brightonin të shtunën, para derbit me Villan. Periudhën festive, Arsenali e përfundon me ndeshjen e vështirë në udhëtim ndaj Bournemouthit.
City tashmë është në seri prej shtatë fitoreve. Lojtarët e Pep Guardiolas vizitojnë Notingham Forestin të shtunën. Luajnë me Sunderlandin në ditën e Vitit të Ri, kurse e presin Chelsean më 4 janar.
Guardiola e ka bërë të qartë se nuk dëshiron që ndonjë shpërqëndrim i Krishtlindjes t’i nxjerrë lojtarët nga rruga. Bëri një paralajmërim të qartë.
“Lojtarët kthehen në stërvitje më 25 dhjetor dhe unë do të jem aty për të matur peshën e tyre dhe për të parë nëse janë në gjendjen e duhur fizike”, ka thënë Guardiola. Ai ka paralajmëruar se lojtarët që shtojnë peshë nuk do të luajnë.
Në anën tjetër të tabelës, tifozët e Wolverhamptonit duan vetëm një dhuratë – një fitore.
Kjo skuadër nuk e ka ende asnjë fitore. Me dy pikë, është starti më i keq në histori të ligës angleze.
Wolverhamptoni po e rrezikon rekordin e zi prej vetëm 11 pikëve nga Derby County në edicionin 2007/08. Për më tepër këtë skuadër e presin udhëtime të vështira për ndeshje me Liverpoolin dhe Manchester Unitedin. Por ndeshja në shtëpi ndaj West Hamit të vendit të 18-të, në fillim të janarit, mund të ofrojë pak shpresë.
Premier League do të ofrojë shumë ndeshje të mëdha në periudhën festive. Dhe fillimi i janarit mund të sjellë gjendje të re në tabelë.