Futbollistët e Dritës festuan gjatë në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të enjten mbrëma. Kishin arsye për të festuar. Drita për herë të parë i është afruar paraqitjes në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. I duhet ta kalojë edhe një kundërshtar për t’u paraqitur në grupet e garës së tretë të UEFA-s për nga niveli.
Kundërshtarin e parafundit, përkatësisht të raundit të tretë të Ligës së Konferencës, Drita e kaloi me sukses të enjten. Pas 120 minutash lojë, Drita fitoi ndeshjen 3:1 ndaj Audas së Letonisë. Gjilanasit ndeshjen e parë e humbën javën e kaluar në udhëtim 1:0. Por kalimin tutje e siguruan me rezultat të përgjithshëm, 3:2.
Ndërkohë kampioni i tri edicioneve të fundit në Kosovë, Ballkani, është ndalur në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ballkani, që në dy edicionet e fundit ishte pjesëmarrës në fazën grupore të kësaj gare, u eliminua të enjten mbrëma nga Larne e Irlandës së Veriut, pas ekzekutimit të penalltive, 4:1. Në 120 minuta lojë vendosi goli i Walid Hamidit në minutën e 45-të nga penalltia. Ishte pikërisht Hamidi që dështoi në ekzekutimin e penalltive, bashkë me Engjëll Ajazaj, ndërsa shënoi Krenar Dulaj. Por kjo nuk mjaftoi pasi vendësit i shënuan të katër penalltitë dhe iu gëzuan avancimit në plejof.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë se meritat për kalimin tutje i kanë futbollistët e tij.
Drita të enjten mbrëma e pati edhe përkrahjen e fuqishme nga tribunat. Në tribuna për ta përkrahur Dritën ishin edhe “Intelektualët”.
“Urimet shkojnë për futbollistët të cilët dhanë maksimumin. Shpirti luftarak, dëshira për fitore, tifozët, përgatitja e ekipit nga stafi im dhe gjithçka tjetër u komponua mirë dhe erdhi deri te kalimi tutje. Edhe ne, por edhe ekipi kundërshtar luajti mirë. Ishim ne ata që kaluam tutje, por do ta meritonte edhe Auda në bazë të paraqitjes. Me plot meritë kaluam tutje”, ka thënë Ramadani.
Kundërshtarja e radhës e Dritës është Legia e Varshavës.
“Ndaj Legias nuk jemi aspak favorit. Edhe ndaj Audas nuk ishim favorit, por ia dolëm. Falënderojmë tifozë që lan të gjitha të këqijat, erdhën për të na mbështetur dhe një pjesë të madhe të kontributit për këtë sukses tonin kanë edhe tifozët”, është shprehur Ramadani.
I lumtur për kalimin tutje është shprehur edhe Albert Dabiqaj.
“Jam i lumtur për golin. Është ndjenjë e mirë pas një viti të vështirë. Ky gol më lumturon shumë. Drita ka pasur paraqitje të jashtëzakonshme gjithnjë në Evropë. Por këtë vit na pri edhe fati, por pa lënë anash angazhimin tonë maksimal. Kundërshtari i radhës është i vështirë, por ne do të mundohemi ta japim maksimumin për të siguruar paraqitjen në grupe”, ka thënë Dabiqaj.
Dabiqaj shënoi golin vendimtar. Ai shënoi me kokë gol të bukur, për fitoren 3:1 në minutën e 115-të.
Besnik Krasniqi shënoi për 1:0 në minutën e 75-të nga penalltia, dhe ia siguroi skuadrës së tij vazhdimet.
Me të nisur pjesa e parë e vazhdimeve dy herë nga 15 minuta, Drita u befasua kur pranoi gol nga Mor Talla.
Mbrojtësi Raddy Ovouka gaboi dhe këtë e shfrytëzoi sulmuesi i skuadrës nga Letonia.
Por në minutën e 102-të, në skenë doli Rron Broja.
Kapiteni i Dritës shënoi me kokë nga afërsia pas asistimit të Blerim Krasniqit.
“Ishte ndeshje e vështirë, por ia dolëm në fund. Arritëm me shumë meritë fitore. Ndeshjen e parë në kampionat nuk e luajtëm kundër Malishevës dhe tashmë do ta kemi ndeshjen ndaj Legias. Shpresoj ta kalojmë me sukses dhe më pas të fokusohemi në kampionat dhe titullin ta sjellim në Gjilan”, ka thënë sulmuesi i Dritës, Arb Manaj.
Ndeshja e parë në mes Dritës dhe Legias do të zhvillohet në Poloni më 22 gusht, ndërsa ajo kthyese pas një jave në Prishtinë.