Barcelona e ka fituar titullin në La Liga në ndeshjen ku superylli Lamine Yamal e realizoi një tjetër supergol në fitoren ndaj Espanyolit në derbi.
17-vjeçari e plasoi topin në mënyrë fantastike në këndin ku portieri i Espanyolit e pati të pamundur të reagonte. Barcelona fitoi 2:0 dhe u konfirmua si kampione e këtij edicioni në La Liga, dy xhiro para fundit. Barça ka krijuar epërsi prej shtatë pikëve në krye të tabelës ndaj rivalit tjetër, Real Madridit.
Fermin Lopez e shënoi golin e dytë në kohën shtesë. Ai realizoi me asistim të Yamalit.
“Mendoj se është trofeu më i vështirë i fituar në gjithë sezonin. Jam shumë i lumtur me atë që kemi shfaqur. Tifozët janë kënaqur dhe ne po ashtu. Kemi festuar në zhveshtore dhe tani do të takohemi me familjet tona për ta vazhduar festën. Golin që e shënoi Yamali është se ai stërvitet shumë. Ai ka shënuar dy gola të ngjashëm gjatë ngrohjes. Duhet të kujdesemi për të dhe ta lëmë të kënaqet”, ka deklaruar pas ndeshjes Pedri, njëri prej më të mirëve në skuadër.
Ndeshja në pjesën e parë u ndërpre për pak minuta pasi u shpërnda lajmi për një incident jashtë stadiumit. Një makinë shkoi drejt turmës dhe lëndoi 13 persona. Katër prej tyre u dërguan në spital, por të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndeshja vazhdoi shpejt dhe Barça kaloi në epërsi prej një goli në minutën e 53-të. Ishte goli i 17-të i edicionit për Yamalin, që e ka vendosur veten në mesin e lojtarëve më elegantë në gjithë botën.
Mbrojtësi i Espanyolit, Leandro Cabrera, u përjashtua nga loja dhjetë minuta para fundit pasi e goditi sulmuesin Yamal, gjatë një dueli për top.
Pasi e fitoi Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, edhe titulli u konfirmua të enjten dhe për Hansi Flickun vlerësohet edicion i suksesshëm. Për të është sezoni i parë në krye të Barcelonës.
Ekipi i tij e mposhti Real Madridin në dy finalet e kupave, ndërsa i ka fituar të katër “El Clasicot” e zhvilluara.
Barcelona, e cila po ashtu arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve ku u mposht nga Interi në një ballafaqim dramatik, është kampione me meritë. Ka realizuar 168 gola në të gjitha garat në këtë edicion.
“Blaugrana” ishte afër të bëhej kampione edhe të mërkurën, por Real Madridi realizoi në kohën shtesë ndaj Mallorcas dhe fitoi 2:1.
Ekipi nga Katalonja duhej ta fitonte këtë ballafaqim për ta siguruar titullin. Por përkrah e kishte edhe fatin, pasi Urko Gonzalez dhe Javi Puado humbën mundësi të mira për nikoqirët.
Yamali ishte hero dhe jo për herën e parë. Ai shënoi në mënyrë të shkëlqyer pasi pranoi pasimin nga Dani Olmo. Më pas asistoi për Lopezin që shënoi pak para fundit.
Barcelona në shtëpinë e Espanyolit festoi edhe në vitin 2023.
13 tifozë shkelen me veturë, ndeshja Espanyol – Barcelona u ndërpre për disa minuta
Ndeshja mes Espanyolit dhe Barcelonës u ndërpre për disa minuta pasi gjyqtari Cesar Soto Grado komunikoi me policinë dhe anëtarët e sigurisë në stadium.
Ndeshja vazhdoi pas dy minutash pasi u sqarua se çfarë kishte ndodhur.
Gjatë ndërprerjes u publikua një video në rrjetet sociale, ku shihet se disa tifozë janë goditur nga një veturë jashtë stadiumit të Espanyolit.
Më vonë u konfirmua se pikërisht ky incident ka ndikuar që ndeshja të ndërpritej për pak minuta në “RCDE Stadium”. Shtatë autoambulanca kanë dalë menjëherë përreth stadiumit.
Është raportuar për 13 të lënduar. Megjithatë, ata nuk janë në rrezik për jetë.
Në rast të fitores në udhëtim tek Espanyoli, Barcelona do ta festonte titullin në La Liga për këtë edicion.
Do të ishte titulli i 28 në histori për klubin “blaugrana”.
Por në vitin 2023, kur Barcelona e fitoi titullin e fundit në La Liga në shtëpinë e rivalit lokal, Espanyolit, festa e Barcelonës nuk zgjati shumë.
Tifozët nuk ishin të lumtur për atë që po bënin lojtarët e Barcelonës dhe e “pushtuan” fushën duke i ndjekur lojtarët e Barcelonës.
Për rastësi, Barcelona mund të festojë sërish në shtëpinë e Espanyolit.
Por, mbetet të shihet nëse do të ketë sërish skena të tilla.
Espanyol-Barcelona 15/05/2025 pic.twitter.com/dJd2C50IAY
— FootballDoNorte (@footballdonorte) May 15, 2025
Supergol i Yamalit
Lamine Yamal ka shënuar tjetër supergol për Barcelonën.
Yamal realizoi në minutën e 53-të.
VIDEO:
🎥 FC Barcelona Goal
— Barça Spaces (@BarcaSpaces) May 15, 2025
⚽️ Lamine Yamal
pic.twitter.com/lmNf7leCr0
Ai e plasoi topin në mënyrë të përkryer dhe e kaloi Barcelonën në epërsi 1:0 ndaj Espanyolit.
Barcelona me fitore e feston titullin.