Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” sivjet mban edicionin e 22-të. Gjatë këtyre 22 vjetëve është bërë punë e vazhdueshme që Festivali ta ketë namin që e ka sot. E pjesë e krejt këtij rrugëtimi janë edhe vullnetarët. “DokuFesti” është shquar përherë për një armatë të rinjsh që i bashkohen në forma të ndryshme.
Këtë e tregon edhe numri i madh i aplikimeve që ekipi i pranon për çdo vjet, e që janë përherë në rritje. Koordinatori i vullnetarëve, Veron Tara, ka treguar se sivjet për punë vullnetare në “Dokufest” kanë aplikuar rreth 300 kandidatë.
“Qysh e dimë ‘DokuFesti’ e ka një numër shumë të madh të vullnetarëve edhe ne ata i quajmë ‘yjet e DokuFestit’ pasi që e bëjnë, ndoshta mundem të them punën kryesore për t’u organizuar tërë Festivali bashkë me stafin. Çdo vit është numër në rritje i vullnetarëve që aplikojnë. Sivjet kanë aplikuar rreth 300 të rinj për t’u bërë vullnetarë por fatkeqësisht ne i zgjedhin në numër shumë më pak dhe sivjet i kemi 130 vullnetarë të cilët janë përzgjedhur për këtë edicion. Ka prej moshave të ndryshme dhe prej dy gjinive, ka prej qyteteve dhe shteteve të ndryshme. Puna vullnetare besoj se është një përvojë që secili duhet ta ketë të paktën njëherë pasi që puna si vullnetar asnjëherë nuk humbet”.
Për të qenë vullnetarë në “DokuFest” nuk kërkohet ndonjë kriter pos moshës e cila duhet të jetë mbi 16 vjeçe. Përparësi, sipas Tarës, kanë ata vullnetarë që kanë marrë pjesë në edicionet paraprake.
“Fillimisht i konsiderojmë vullnetarët të cilët kanë qenë dhe të cilët duam t’i kemi përsëri edhe me i shpërblyer ndoshta ata që e kanë bërë një punë shumë të mirë viteve paraprake. Kritere nuk ka, përveç moshës ku nuk lejohet nën 16 vjet me punuar. Kriter tjetër nuk ka. Kushdo që ka vullnet lirisht mundet me qenë pjesë e festivalit”.
Puna vullnetare në “DokuFest” bashkon njerëz të të gjitha moshave dhe prejardhjeve.
Puhiza Shemsedini, që kur i ka mbushur 16 vjet ka treguar se është pjesë e Festivalit i cili e gjallëron qytetin e Prizrenit. Për të, puna vullnetare shkon përtej kontribuimit në shoqëri.
“Me ‘DokuFestin’ e kam lidhjen qysh si fëmijë kur kam marrë pjesë në ‘Doku Kids’ vite radhazi dhe kur i kam mbushur 16 vjet menjëherë kam filluar si vullnetare. E kam zgjedhë këtë sepse definitivisht është energjia e Prizrenit, ajo që e presim me padurim dhe i jep energji, pozitivitet edhe atmosfera e qytetit është ndryshe. Nuk e ndjejmë as lodhjen sepse është shumë një ndjenjë e mirë kur shumë të rinj bëhen bashkë për të kontribuar në festivalin i cili e gjallëron qytetin”.
Lidhjet e krijuara gjatë punës vullnetare janë ato që ajo do t’i mbajë çdoherë me vete.
“Çka do të mbajë gjithmonë me vete janë lidhjet që i kam krijuar me njerëz edhe njerëzit që i kam njoftuar gjatë ‘DokuFestit’ prej vendeve tjera. Eksperiencat që më kanë rritur edhe profesionalisht edhe me punuar si grup edhe në presionin e kohës dhe punën me vet dëshirë. Kjo është ajo ndjenja që vetëm vullnetarizmi ta jep dhe asgjë tjetër. Kam pasur rastin të punoj në departamente të ndryshme por nuk është se njëri është më i mirë se tjetri sepse vet ‘DokuFesti e ka energjinë e tillë që kudo që punon do të kënaqesh shumë”.
Për Isra Metlillon është viti i dytë që bën punë vullnetare në festivalin “Dokufest”. Departamenti i “Doku Shop” mbetet i preferuari i saj pasi që aty ka thënë se ka më shumë mundësi takimi me njerëz të tjerë, vizitorë të Festivalit nga shumë vende të botës.
“Është viti i dytë që jam duke punuar në “Dokufest” dhe është një ndjenjë ndryshe. Mundesh me mësuar shumë sende të tjera, mundesh me krijuar eksperienca me njerëz tjerë. Në vitin e kaluar kam punuar në departamentin e ‘Doku Shopit’ dhe besoj që edhe këtë vit jam në të njëjtin vend sepse kam punuar me shpirt dhe më ka pëlqyer shumë”.
Për vullnetarin tjetër, Olt Kastrati, përvoja e punës në Festival ka thënë se ia zbukuron verën. Gjallëria që Prizreni e ka gjatë “Dokufestit” është një prej arsyeve kryesore pse e ka zgjedhur këtë si aktivitet gjatë verës.
“Kam vendosur që të jem pjesë e ‘Dokufestit’ si vullnetar sepse gjatë kohës së Festivalit, krejt Prizreni gjallërohet edhe ia jep qytetit njëfarë ndjesie shumë më të mirë kështu që edhe unë pata dëshirë që të jem pjesë e kësaj ndjesie”.
Sivjet në “Dokufest” 130 vullnetarë punojnë të shpërndarë në 15 departamente ku përfshihen ai i mikpritjes, dyqanit, ngjarjeve e të tjera.