Pas sukseseve dhe pjesëmarrjes nëpër disa festivale të njohura ndërkombëtare, prej së enjtes të kësaj jave, filmi nën regji të Bujar Alimanit, “Virgjëresha shqiptare”, do të nisë rrugëtimin nëpër kinematë gjermane. Në një format të dubluar, filmi pritet të shfaqet edhe në njërin prej kanaleve më të njohura televizive, “ZDF”.
Një test para audiencës në Gjermani qe premiera gjermane në Köln, ku jeton edhe një numër i madh i shqiptarëve. Filmi, i cili në gjermanisht mori titullin “Luanas schwur”, në ditën e dytë të shkurtit mbushi plot sallën e “Cinenovas”, ndërsa tash në itinerar ka kinematë e disa prej qyteteve më të njohura e më të mëdha gjermane, përfshirë Shtutgartin, Munihun, Ulmin, Bonin, Dyseldorfin, Nurenbergun e të tjerë.
Aktorja Rina Krasniqi ka thënë se presin që shumë shpejt filmi të dalë edhe në platforma online.
Në premierën gjermane në Köln morën pjesë edhe disa pjesëtarë të ekipit, përfshirë producenten Anita Elshani, protagonisten Rina Krasniqi, aktorin Nik Xhelilaj, që portretizon Flamurin, e të tjerë.
Producentja e filmit, Anita Elsani, ka thënë se reagimi i publikut ishte fantastik dhe për dy orë shikuesit u arratisën në një botë tjetër.
Me skenar të Katja Kittendorf, filmi trajton një temë tejet autoktone që në rend të parë lidhet me fenomenin e burrneshave e pastaj, pothuajse paralelisht me të, me temën e gjakmarrjes. Shpërfaq realitetin patriarkal pa gjykuar, duke e vënë publikun përballë figurës së femrës shqiptare të kohëve të vështira të jetës zakonore në Kosovë e Shqipëri.
Premiera botërore ishte dhënë në tetorin e vitit 2021 në kuadër të edicionit të 37-të të Festivalit të Filmit në Varshavë të Polonisë, si bashkëprodhim i Gjermanisë, Belgjikës, Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas sinopsisit, historia zë vend në vitet ‘50 e ‘60, kohë që shumëfishon vështirësinë e ekzistencës së femrës që bart dëshirat, vendimet dhe ëndrrat. Në film luajnë edhe Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Alban Ukaj e të tjerë.