Gjysmëshekull i krijimtarisë së Violeta Xhaferit vjen me njëqind vepra dhe aty shpaloset një botë e pafundme e artit të saj shumëdimensional. Nëpërmjet ekspozitës eksplorohen edhe kujtimet në ato vepra ku artistja dokumenton – eksodin e shqiptarëve e luftën e Kosovës – e të tjerat janë edhe reagimet e saj ndaj fenomeneve sociale. Një kapitull është edhe veprimtaria e saj si kostumografe, por ekspozita “Rishikime” nuk ndalet me kaq.
Është vetëm një mostër e punës së Xhaferit duke ndërlidhur mjetet dhe materialet me të cilat kthehet në mendje 20 vjet pas prej kur kishte ekspozuar për të fundit herë në Galeri. Madje arti i saj kishte qenë i pari i një gruaje që kishte ekspozuar aty.
Ngjyra plot, shumica e veprave janë të dimensioneve të njëjta në dhomën e parë ekspozuese në hyrje të Galerisë. Duket horizont i pafund, derisa dëgjohen edhe zëra nga një pjesë tjetër. Është dokumentar i një televizioni norvegjez kushtuar artistes Xhaferi.
Thuret realja me imagjinatën në veprën e saj, edhe duke paraqitur heroin e versionin tjetër të tij. Në vepra trajtohen çështjet sociale e politike, siç është jeta mes kaosit në vend.
Është “Click” që vjen si kritikë ndaj medias dhe vjen si ekspozitë brenda ekspozitës, e realizuar mes viteve 2000 dhe 2002.
Artistja Xhaferi ka thënë se veprat e këtij cikli i ka punuar duke qenë për të si terapi për të ndaj situatës së krijuar në Kosovë.
“Këto i kam punuar pasi e kam pasur një ndjenjë shumë të rëndë. Kur filloi lufta kam filluar të bëj piktura, janë në mënyrë klasike këto, me tema nga eksodi. Më ka shërbyer si terapi për ta hequr mallin e dhimbjen. Mirëpo, mandej e kam kompletuar me një instalacion pikturash. Kur them instalacion, njerëzit janë mësuar të shohin sende në mes të galerisë. Në të vërtetë ky ka qenë një lloj instalacioni me piktura”.
Në dy dhoma të vogla, në katin e sipërm, vend ka zënë një tjetër etapë e veprimtarisë së artistes – kostumografia. Violeta Xhaferi kishte qenë e para kostumografe në vend.
Kuratorja e ekspozitës “Rishikime”, Hana Halilaj, ka thënë se ekspozita prezanton opusin e artistes Xhaferi në etapa të caktuara.
“Janë diku rreth 100 vepra që i përfshijnë punët e Violetës prej kur ka qenë studente në Akademi, më pas edhe si kostumografja e parë e trajnuar akademikisht dhe kontributin në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por gjithashtu si artiste e arteve aplikative. Më pas kalimin në mediumin e pikturën në vitet ’90 e deri tek këta dhjetë vjetët e fundit kur ka qenë duke punuar me pëlhura, që e bëjnë njëfarë miksi me tekstil, edhe si piktore”.
Ekspozita retrospektive është kompletuar me materiale arkivore ku në një numër të tavolinave ekspozuese janë vendosur edhe materiale si dorëshkrime e kontrata të veprimtarisë si kostumografe, çmime të fituara, katalogë, tituj gazetash të shkruara për të e dokumente të tjera personale.
Ministri Hajrulla Çeku e ka vlerësuar artiste të veçantë me krijimtari të jashtëzakonshme.
“Këtu brenda e kemi një përmbledhje të 50 vjetëve krijimtari në rreth 100 vepra të ndryshme nga piktura në grafikë, kostumografi, video, instalacion e të tjera. Violeta Xhaferi sivjet është shpallur edhe lauretate e Çmimit vjetor për Arte Pamore për Vitin 2022. Unë e përgëzoj edhe një herë publikisht, sepse kur i ndamë çmimet nuk pata rastin ta takoja fizikisht”.
Artistja Zake Prelvukaj ka thënë se Xhaferi është ndër artistet më të mira për të dhe se në artin e saj sheh edhe inteligjencën e artistes.
“Gjithmonë do të them dhe deklarohem se s’ka asgjë më të mirë në botë sesa të të prijë dikush mbarë. Violeta Xhaferi përndryshe është një aset kombëtar jo vetëm kosovar dhe mund të them se koha e artistit të mirë, pa marrë parasysh se e kam njohur e jam rritur me të, kalojnë vitet dhe ajo do të jetë një artiste që do të jetë edhe muzeale dhe puna e saj dhe do t’i shërbejë secilit artist si një studim i posaçëm”.
Ekspozita është hapur në ditën e vdekjes së drejtorit të parë të GKK-së, Shyqri Nimani. Pikërisht artistit të shquar i është kushtuar ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 15 gusht.