EXPRESS

“PriDox” vjen me edicionin e parë

Filmi që i kushtohet ruajtjes së ambientit dhe përdorimit të një hapësirë më të vogël tokësore, duke e lënë tjetrën të paprekur, “Paved Paradise”, ka hapur edicionin e parë të festivalit “PriDox” në ekranin e “Kino Armatës”. U ka prirë pesë filmave, prodhime e bashkëprodhime që vijnë nga Gjermania, Franca, SHBA-ja, Holanda e Zvicra e të tjera. Dokumentari holandez vjen me mesazhin për ruajtjen e tokës.

Shfaqjes së tij i ka paraprirë hapja zyrtare e “Pridox”, i cili organizohet dy muaj pas “PriGlobal”, gjithashtu degë e “PriFestit”.

Teksa ka folur për themelimin e dy degëve të reja që hyjnë në kuadër të “PriFestit”, drejtori i festivalit, Fatos Berisha, ka bërë të ditur gjithashtu se “PriFesti” do të mbahet në shtator.

“Programi vjetor i “PriFestit” domethënë është viti i parë që po e bëjmë këtë. Angazhimet i kemi gjatë gjithë vitit. E kemi filluar para dy muajsh me “PriGlobal” që ishte një program shumë i veçantë. Po vazhdojmë më “Pridoc” domethënë me filmat dokumentarë të metrazhit të gjatë që i kemi dhënë këtë titull. “Prifesti” domethënë ai i madhi do të mbahet në shtator më datat 12-17”.

I pranishëm në hapje ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka folur për mbështetjen e kinematografisë dhe vetë festivalit “PriFest”.

“Kam kënaqësi që t’u drejtohem në këtë ngjarje të re kulturore. “Prifestit” tashmë i është shtuar edhe një komponentë, java e filmit dokumentar “Pridoc”. Me riorganizimin të politikës së mbështetjes së skenës së pavarur kulturore në fokus për mbështetjen e zhvillimit institucional të akterëve të mëdhenj të kësaj skene në mesin e të cilëve është edhe “Prifesti”, rezultatet konkrete po i shohim edhe sonte. Si një ndër përfituesit e kësaj mbështetjeje “Prifesti” ka arritur që programit vjetor t’ia shtojë edhe javën e filmit dokumentar. Nuk mundem ta fsheh që jam shumë i lumtur për faktin që aktiviteti kulturor, kinematografik po shtohet epo rritet në vendin tonë”.

“Paved Paradise”, i regjisorit holandez Karsten de Vreugd për 91 minuta e çon publikun nëpër peizazhe dhe ka një qasje tjetër për mbrojtën e natyrës: kërkon të kursehet toka. Rrëfimi zhvillohet nëpërmjet intervistave që bën regjisori me shkencëtarë, biologë e studiues të biodiversitetit. Bashkë me të është miku i tij, Hide, po ashtu shkencëtar dhe i cili kishte dhënë idenë për këtë film.

“Siç e din unë bëj filma fiksion dhe dokumentarë. Fiksioni është për t’u argëtuar e dokumentari është më serioz. Unë kam punuar me shokun tim të ngushtë Hiddin dhe ai ishte duke më treguar për disa fakte shkencore dhe tha se dëshiron të bëjë një film rreth mënyrës se si ne e përdorim tokën Unë i thash se kjo gjë është tepër e mërzitshme. Por më pas i thash që nëse mund ta bëj në mënyrën time, atëherë le ta bëjmë. Pra ky ishte inspirimi”.

Menaxheri i “PriFest”, Armend Zeqiri, ka folur për strategjinë e re të festivalit. Ka bërë të ditur se filmat e përzgjedhur vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe, sipas tij, kjo është një mundësi tejet e mirë për filmbërësit në Kosovë.

“Prej sonte kemi filluar me “Pridox”. “Prifesti” ka filluar këtë vit me një strategji të re të punës. I kemi bërë dy evente ndaras nga ai kryesori që do të mbahet në shtator. Kemi filluar para dy muajsh me “PriGlobal” dhe këtë javë e kemi “Pridox” prej 6 deri me datë 10. Do të shfaqen gjithsej pesë filma të përzgjedhur me shumë kujdes prej Alush Gashit, drejtorit të “Kino Armatës”. Janë filma me tema të ndryshme siç e pamë sonte kemi pasur një film që për temë pat ambientin dhe ruajtjen e tij për një të ardhme më të mirë. Do të vazhdojmë nesër më filmat tjerë, tema tjera të përzgjedhura jashtëzakonisht kujdesshëm dhe jemi munduar që t’i sjellim publikut tonë dhe filmbërësve mundësi për t’i parë këta filma që një filma të ri prej shteteve të ndryshme si: Amerikës, Britanisë së madhe, Holandës e shumë të tjera”.

“PriDox” do të zhvillojë aktivitetet e tij deri të shtunën e dhjetë majit. Të gjithë filmat janë pjesë e garës.