Kulturë

Kinematografia si avokim për të drejta e mbrojte të natyrës

DokuFest

“DokuFest” ka kthyer hijeshinë e para një viti në Prizren. Dita e tretë e tij ka vijuar me filma dokumentarë e ata të shkurtër, me bisedën në “Doku Talks” si ndërthurje e rrëfimeve historike dhe bashkëkohore të rezistencës dhe rikuperimit të hapësirave të ndryshme

Zgjedhjet për të parë filmat lënë në mëdyshje, kur në të njëjtën kohë e në të njëjtin orar shfaqen në gjashtë kinema në Prizren. Edhe të dielën, në ditën e tretë të festivalit ndërkombëtar të dokumentarëve dhe të filmave të shkurtër “DokuFest”, ofertë me filma të larmishëm është dhuruar për publikun.

Vizitorë të qytetit të Prizrenit tashmë mund të gjesh në çdo hap që kalon. Edhe rrugicat e skutat më të thella gjëmojnë nga lëvizjet e veturave dhe të njerëzve. Rrugës deri tek kinemaja e përzgjedhur për të ndjekur filmin në njërin nga gjashtë oraret e caktuara has në turistë nga rajoni e nga shtete të Evropës. Tashmë janë kryesisht hyrjet e kinemave aty ku turma mblidhet e radhët për të hyrë brenda janë të gjata. Zhurma e skanimit të biletave është bërë tani rutinë për vullnetarët me bluza të verdha si bletë punëtore të Festivalit.

“DokuFest” ka kthyer hijeshinë e para një viti në Prizren. Dita e tretë e tij ka vijuar me filma dokumentarë e ata të shkurtër, me bisedën në “Doku Talks” si ndërthurje e rrëfimeve historike dhe bashkëkohore të rezistencës dhe rikuperimit të hapësirave të ndryshme e masterklasë si praktikë për dokumentarin me fotografin e agjencisë për fotografi “Vll”, Paul Lowe. Gjatë saj është eksploruar sesi të hulumtohet, të planifikohet, prodhohet, të modifikohët dhe të prezantohet një ese e zgjeruar fotografie, dokumentar fotografie a film. Gjithashtu është eksploruar dhe vlerësuar në mënyrë kritike për shqetësimet etnike në lidhje me përfaqësimin mes dokumentarit.

Në botën e filmave ndërkombëtarë

Ndër gjashtë kinematë ku shfaqen filmat e shkurtër dhe ata dokumentarë në kuadër të “DokuFestit” dyert për të parë filma janë të hapura edhe në “Doku Kino”. Të dielën, në kategorinë “International Shorts” janë shfaqur pesë filma të metrazhit të shkurtër. Salla ka qenë përplot me shikues të filmave të cilëve u janë shpalosur rrëfimet filmike nga shtetet e skajeve të botës.

I pari që është shfaqur ka qenë filmi “Doku Lara” i regjisorit nga Singapori, Nuryn Adryana. Është një i ri i quajtur Erik i cili e ka të pamundur të kthehet në shtëpi. Vetmia e tij manifestohet me ndërgjegjen e quajtur “Shpirti i Detit”, që në formë fizike vjen si grua që i qëndron përballë dhe bisedojnë për sjelljet e tij. Ajo përpiqet ta vërë kundër keqardhjes ndaj vetes. Eriku është peshkatar dhe ngjarja hapet në liqen, si bashkëbisedim mes tyre rreth asaj se karakteri zgjedh të jetë aq i vetmuar sa nuk njeh as miqtë e tij të punës me të cilët punon prej 11 vjetësh.

“The Distance of Time” hap skenat e filmit me pamjet e burrit që ngre një shkop drejt një pëllumbi dhe komunikon me të përmes fishkëllimave. Pika shiu dëgjohen derisa një vajzë dhe një djalë qëndrojnë të ulur në shtëpi. Në fakt, rëndësi i kushtohet audios, si dhe hapave gjatë ecjes, sirenave të veturave e ambulancës, të qeshurave e të qarave. Ngjarja zhvillohet në një qytet të Perusë, ku një i ri androgjen arrin thellësitë e braktisjes ndërsa i dashuri i tij përpiqet të mbijetojë ndaj një sëmundjeje të panjohur. Filmi përmbyllet me vdekjen e tij, me funeralin, ku numër i madh i njerëzve mblidhen e luten teksa ushtarët mbajnë arkivolin e tij. Filmi i shkurtër, siç edhe thuhet në fund, është “përkujtim për gjyshen” e autorit. Regjisor i filmit “The Distance of Time” është Carlos Ormeno Palma nga Peruja.

Filmi “The Land of the Milk and Honey” me regji të belges Isabelle Nouzha shfaq përmes animacioneve ironinë e skenës politike ndaj shkatërrimeve, përmbytjeve, djegieve të pyjeve, e vdekjet në vendin e punës. Derisa gjithë këto ndodhin, shfaqet në anën tjetër politika, ku individët janë me fytyra të kafshëve. Ata ulen, lëkundin karriget e tyre derisa shikojnë pamjet në televizor e ato i shoqërojnë me kafe. Filmi është pasqyrim për popullatën e të mbijetuarve të varfër dhe në anën tjetër për elitat e gatshme për të transformuar tërbimin popullor në fuqi punëtore. Shembull i saj është raportimi i gazetarit që në fillim të filmit raporton për ndërtime ilegale, ndotje e shkatërrim, ndërsa në fund të tij shihet i rrahur duke u fundosur në det, teksa duke raportuar thotë se “është një ishull i ndërtuar me plastikë të fortë, ku bimët janë të llojllojshme, ndërsa shpezët e rrallë gjenden aty”.

“Sound of the Night” me regji të regjisorëve nga Kamboxhia, Chanrado Sok dhe Kongkea Vann paraqet jetën e shitësve ambulantë. Sjelljet ndaj tyre janë jonjerëzore në shtetin e tyre. Ata shpesh nuk paguhen për shërbimin e tyre në shitjen e ‘noodles’ derisa kur kërkojnë atë që u takon, kërcënohen me rrahje. Derisa qyteti rritet rreth tyre, ata imagjinojnë për një të ardhme tjetër. Filmi është si pasqyrë për punën e tyre të ndershme, por shumë të vështirë e jofitimprurëse.

“Nightwalker” është film brazilian që, siç mund të kuptohet nga titulli, janë disa burra që kërkojnë natën për drithërat që u janë marrë. Ata rrezikojnë jetën e tyre duke u futur në tren transportues në lëvizje për të rimarrë drithërat dhe për t’i shitur ata, që ishin zënë kurth nga kriza ekonomike në Brazil.

Filmi si formë për kërkim të të drejtave dhe mbrojtjen e natyrës

Në kinemanë “Lumbardhi” është shfaqur filmi “Uyra: The Rising Forest” më regji të brazilianes Juliana Curi. Uyra është artiste dhe ekologe me origjinë indigjene që jeton në Manaus të Brazilit. Fjalë për fjalë, e margjinalizuar si person indigjen, queer dhe trans, që jeton në periferi të qytetit, ajo kërkon të dëgjohet dhe të shihet. Këtë e synon përmes transformimeve me ngjyrosjen e fytyrës e me veshjet e krijuara prej gjetheve e degëve të pemëve. Me këtë sjell edhe mesazhin për mbrojtjen e mjedisit dhe për të promovuar vlerat e komunitetit LGBT+.

Ajo udhëton në Amazonë për të vizituar fshatrat indigjene dhe për të ndarë njohuritë me të rinjtë. Mision për këtë është që Uyra të ndërgjegjësojë rëndësinë e identitetit dhe vendit, në kohën kur janë nën sulm nga regjimi politik represiv i Brazilit. Nëpërmjet vallëzimit, poezisë, kostumeve dhe grimit, artistja Uyra përballet me guxim me racizmin historik, transfobinë dhe shkatërrimin e natyrës. Kërkimi i tyre për identitetin e tyre dhe lufta për të sjellë ndërgjegjësimin për marrëdhëniet e ndërlidhura midis njerëzve dhe mjedisit qëndrojnë në zemër të filmit që sa është tërheqës, aq është edhe poetik.

Filmi “Uyra…” është shfaqur në kuadër të programit të veçantë të “Manifesta 14” në “DokuFest”. Në kuadër të programit “Landscapes of repair and resistance Manifesta 14 Prishtina special programme” shfaqen edhe filmat “Landscapes of Resistance” i regjisores serbe Marta Popivoda dhe “Wild Relatives” i regjisores nga Palestina, Jumana Mana.