Për botuesit dhe organizatorët ka dallime jo të vogla midis edicionit të kaluar dhe të sivjetmë në Panairin Ndërkombëtar të Librit. Sipas tyre, kriza ekonomike e ka bërë të veten. Por sukses më vete llogaritet të jetë mbajtja e tij, pasi ngjarja nuk u organizua shkaku i pandemisë në dy vjetët e kaluar. Ndërkaq dita e fundit ka qenë ndër më produktivet sa i përket interesimit të lexuesve.
Sivjet, Botimet KOHA ka shënuar rekord sa i përket zbritjes së çmimeve në kohën e Panairit. Kanë qenë me deri në 80 për qind zbritje dhe me ofertë të veprave të mbi 100 autorëve. Sivjet, Shoqata e Botuesve e Kosovës nuk ka shpallur shtandin më të vizituar, por menaxheri i shitjes, Fidan Imeri ka thënë se tashmë është evidente që shtandi i KOHËS është më i vizituari.
“Për ne që në ditën e parë kur filloi në orën 12:00 që aty e shënuam si sukses faktin që pas tre vjetësh kthehemi me sukses”, tha kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli.
Sipas tij entuziazmi i rikthimit me edicionin e 22-të vërehej ende para hapjes.
“Në anën tjetër vërehet edhe kriza e përgjithshme ekonomike, e cila ka ndikuar në xhepat e qytetarëve dhe kjo rrjedhimisht krijon më pak mundësi blerjeje”, tha ai për emisionin “Express”.
Mesditën e së shtunës janë ndarë çmimet e edicionit të sivjetmë. Shkumbin Gashi ka marrë Çmimin për shkrimtarin më të mirë të letërsisë shqipe, e Claude Arnaud atë për shkrimtarin më të mirë të huaj.
Çmimin për letërsinë për fëmijë, tregime, e mori Drita Ruhani për veprën “Në koma”, teksa Çmimin për letërsinë për fëmijë në roman e mori Fatmir Gjestila me veprën “Briri i artë shndërrues”.
Diana Çuli mori Çmimin për përkthyesen e vitit 2022 në prozë, për përkthimin e veprës së Barbey d'Aurevilly, “Diaboliket”, ndërkaq Mirela Papuçiu mori Çmimin për përkthyesen e vitit në poezi, për përkthimin e veprës së Laurent Grisonit, “Voltaikët”.
Gazetarja dhe shkrimtarja Alketa Gashi-Fazliu u vlerësua me Çmimin për poezi, për veprën “Pikë”, botuar nga “Artini”, Prishtinë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ia dha Namik Dokles Çmimin për roman, për “Kolerë në kohë të dashurisë”.
Në lëmin e kritikës fitues doli Behar Gjoka me librin “Hejza e Pashkut”.
Rreth 2000 tituj të rinj e mbi 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi për gjashtë ditë kanë qenë në dispozicion të lexuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.