Kulturë

Panairi i Librit mbyllet duke shpërfaqur edhe efektin e krizës ekonomike

Botuesit dhe organizatorët kanë vërejtur dallim jo të vogël midis edicionit të kaluar të mbajtur më 2019 dhe të sivjetshmit sa i përket interesimit për të blerë libra. Sipas tyre, kriza ekonomike e ka bërë të veten. Por sukses më vete llogaritet të jetë mbajtja e Panairit të Librit, pasi ngjarja nuk u organizua shkaku i pandemisë në dy vjetët e kaluar. Me rreth 2000 tituj të rinj, mbi 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi për gjashtë ditë kanë qenë në dispozicion të lexuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë

Dita e fundit e edicionit të sivjetmë të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë ka qenë ndër më produktivet sa i përket interesimit të lexuesve. E shtuna, po ashtu, ka shënuar rritje të interesimit. Kurse nga e marta, kur edhe u hap ekspozita e madhe e librit, deri të premten, interesimi qe goxha i zbehtë. Botuesit dhe organizatorët kanë vërejtur dallim jo të vogël midis edicionit të kaluar të mbajtur më 2019 dhe të sivjetshmit, sa i përket interesimit për të blerë libra. Sipas tyre, kriza ekonomike e ka bërë të veten. Por sukses më vete llogaritet të jetë mbajtja e Panairit, pasi ngjarja nuk u organizua shkaku i pandemisë në dy vjetët e kaluar.

Me rreth 2000 tituj të rinj, mbi 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi për gjashtë ditë kanë qenë në dispozicion të lexuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ofertat e botuesve kanë qenë prej më të ndryshmëve. Zakonisht çmimet e librave gjatë Panairit janë më të favorshme.

Sivjet Botimet KOHA ka shënuar rekord sa i përket zbritjes së çmimeve në kohën e Panairit. Me deri në 80 për qind zbritje dhe me ofertë të veprave të mbi 100 autorëve, shtandi i KOHËS ka dalë të jetë më i vizituari. Traditën e shtandit më të vizituar KOHA e mban ndër vite, sikurse atë për veprën më të shitur.

Fidan Imeri, menaxher i shitjes në Botimet KOHA, ka thënë se lexuesit e kanë krijuar një lidhje me këtë shtëpi botuese shkaku i veprave që ofrohen e po ashtu edhe të çmimeve.

“Ne tashmë kemi lexuesit tanë të cilët nuk e shkëpusin lidhjen me ne. Ndër vite përcjellin veprimtarinë botuese e po ashtu e kanë parasysh edhe afërsinë që kemi me ta sa u përket çmimeve”, ka thënë ai. Sipas Imerit, KOHA do të vazhdojë që ta ketë të njëjtën ofertë gjatë gjithë javës që vjen. Sivjet Shoqata e Botuesve të Kosovës nuk ka shpallur shtandin më të vizituar, por Imeri të dielën ka thënë se tashmë është evidente që shtandi i KOHËS është më i vizituari.

Shtëpia botues “Onufri” tradicionalisht merr pjesë në Panairin e Prishtinës. Çdo vit kanë marrë rrugë nga Tirana dhe përherë kanë qenë të kënaqur me shitjet e realizuara në Panair.

David Hudhri nga kjo shtëpi botuese ka thënë se shkëputja për dy vjet u bë shumë e gjatë për një panair që ishte shumë i dashur për lexuesit e po ashtu edhe për botuesit.

“Ka pasur shumë sfida, qoftë pandemia, qoftë situata e luftës që ka rritur çmimet. Për fat të keq kjo është ndier edhe te Panairi në aspektin e pjesëmarrjes, që nuk ka qenë në panairet e kaluara. Ditët e para kanë qenë më të vakëta e fundjava na e ktheu pak ndjenjën e panaireve të kaluara”, ka thënë ai. Hudhri ka thënë se shpreson që edicionet e ardhshme të jenë me më shumë lexues të pranishëm.

Rënia e interesit është evidente edhe për organizatorët. Por për ta, lajmi kryesor është rikthimi i Panairit.

“Vetë mbajtjen sivjet e shënuam si sukses. Entuziazmi ishte i madh, por vërehet që kriza e përgjithshme ekonomike ka ndikuar te xhepat e qytetarëve, duke krijuar mundësi më të vogël të blerjes”, ka thënë Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Por, sipas tij, Panairi nuk është vetëm shitblerje e librave. “Kemi mbajtur mbi 30 ngjarje. Lexuesit janë informuar për librat e rinj dhe kjo shënon sukses për Panairin. Ne në shtëpinë botuese ‘Pema’ kemi 30 tituj të rinj për Panair dhe ky është sukses”, ka thënë ai.

Mesditën e së shtunës janë ndarë çmimet e edicionit të sivjetmë. Shkumbin Gashi ka marrë Çmimin për shkrimtarin më të mirë të letërsisë shqipe, e Claude Arnaud atë për shkrimtarin më të mirë të huaj. Gjithsej dhjetë çmime ka ndarë Shoqata e Botueseve të Kosovës, që ka përsipër organizimin e Panairit

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që ta pranoj këtë çmim pikërisht në Prishtinë, në vendin ku unë jam rritur. Edhe pse jetoj në Zvicër, e kam një përshtypje që Prishtina asnjëherë nuk më hidhërohet. Më pret gjithmonë mirë, më pret si gjyshja që pret nipin e saj”, kishte thënë Gashi, i cili hyri në botën e letërsisë me “Anormopatia”, botuar më 2017, e më 2020 u bë i njohur me romanin “Nënë më fol për ëndërrimtarët”, kur mori edhe shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë.

Shkrimtari francez Arnaud nuk qe i pranishëm në ceremoni, por në ditët e para ishte mysafir, pasi edhe iu promovua botimi në shqip i romanit të tij “Dhembja e rrënojave”.

Kanë qenë akademikët Ali Aliu, Zejnullah Rrahmani e Reshat Sahitaj nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, Edon Zenel, kryetar i SHBK-së, dhe Majlinda Rama, kryetare e jurisë, që kanë vendosur për çmimet e Panairit, që sivjet vijnë në një tjetër format.

ka ndarë dy çmime edhe për autorët e letërsisë për fëmijë. Çmimin për letërsinë për fëmijë, tregime, e mori Drita Ruhani për veprën “Në koma”, botuar nga SAS, Prishtinë. Çmimin ia dorëzoi Vjollca Zalli, bashkëshortja e shkrimtarit të njohur për fëmijë, Shkëlzen Zalli.

Ndërkaq për një lloj tjetër të prozës, Çmimin për letërsinë për fëmijë në roman e mori Fatmir Gjestila me veprën “Briri i artë shndërrues”, botuar nga “Emathia”, Tiranë, të cilin ia dorëzoi shkrimtari për fëmijë Viktor Canosinaj, i cili ka rikujtuar se në fakt Gjestila këtë vit kishte fituar edhe një çmim shumë të rëndësishëm të letërsisë për fëmijë me romanin “Edhe pëllumbat qajnë”.

Diana Çuli mori Çmimin për përkthyesen e vitit 2022 në prozë, për përkthimin e veprës së Barbey d'Aurevilly, “Diaboliket”, ndërkaq Mirela Papuçiu mori Çmimin për përkthyesen e vitit në poezi, për përkthimin e veprës së Laurent Grisonit, “Voltaikët”, botuar nga “Buzuku”.

Gazetarja dhe shkrimtarja Alketa Gashi-Fazliu u vlerësua me Çmimin për poezi, për veprën “Pikë”, botuar nga “Artini”, Prishtinë. Çmimin ua dedikoi fëmijëve të vet, e “pa dyshim edhe adhuruesve të poezisë e të librit”, deklaroi Alketa me një zë plot emocione.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ia dha Namik Dokles Çmimin për roman, për “Kolerë në kohë të dashurisë”.

Në lëmin e kritikës fitues doli Behar Gjoka me librin “Hejza e Pashkut”, botuar nga “Buzuku”, Prishtinë.

Panairi i Librit, si ngjarja më e madhe e librit në Kosovë, për herë të parë u mbajt në nëntor të vitit 1999, ndërsa që nga atëherë ai mbahet në muajt maj ose qershor. Në gati një javë, sa zgjat Panairi, mbledh rreth vetes shkrimtarë, studiues, kritikë, studentë e njerëz, të cilët leximin e kanë gjë të preferuar. Ajo që e bën në përgjithësi të veçantë këtë ngjarje, përveç çmimeve më të volitshme, është edhe prania e shkrimtarëve nga të gjitha trevat shqiptare e më tej, si dhe organizimi i ngjarjeve të ndryshme kulturore.

Për herë të fundit takimi më i madh midis botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve u bë në qershorin e vitit 2019, kur u mbajt edicioni i 21-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Ngjarja ishte hapur me thirrjen që shteti të ketë më shumë vëmendje për bibliotekat publike, pasi, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 kishte 120 mijë lexues më pak të regjistruar në biblioteka sesa më 2017. Viteve të fundit Panairi kishte rreth 40 mijë vizitorë për çdo edicion.