EXPRESS

Orkestra e Filarmonisë rikthehet në skenë me vepra shqiptare

Pas më shumë se shtatë muajve, orkestra e Filarmonisë së Kosovës është rikthyer në skenë.

Kur institucionet e kulturës mbyllën dyert si pasojë e masave parandaluese të përhapjes së koronavirusit, instrumentistët u thelluan në punë.

Duke mos e ditur se kur do të rikthehen në skenë, ata u siguruan që kurdo që kjo të ndodhte, interpretimi të ishte në nivel. Por mbrëmjen e së enjtes, përballja me publikun ishte më ndryshe se zakonisht, raporton emisioni Express në KTV.

Numri i publikut në Sallën e Kuqe ishte i limituar dhe distanca fizike ishte një sfidë e re për instrumentistët.

Për violinistin Visar Kuqi ky përjetim solli ndjenja të përziera.

Kuqi ishte mëlmesa pikante e mbrëmjes koncertale. I shoqëruar nga orkestra ai interpretoi notat e këngës “Baresha”, të aranzhuar nga Gerti Druga. Ky interpretim ishte homazh për jetën dhe veprën e Nexhmije Pagarushës, e cila vdiq më 7 shkurt të këtij viti.

Gjatë këtij koncerti për herë të parë Orkestra e Filarmonisë së Kosovës u dirigjua nga Gridi Kraja, që ndryshe njihet si dirigjenti i premierave të guximshme në skenën shqiptare. Ai bashkë me institucionin me të lartë të muzikës në vend përpiloi një program që u veçua me vepra shqiptare.

Në mesin e veprave shqipe që u luajtën ishte uverturë nga opera “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit, “Valle shqiptare Nr.2” nga Thoma Gaqi, poema simfonike “Skënderbeu” – Fragmente, si dhe vepra “Albanian Dance” nga kompozitori Hajrullah Syla.

Në këtë koncert Orkestra e Filarmonisë së Kosovës po ashtu interpretoi veprën “Night in the bald mountain” dhe “Baccanale nga opera “Samsoni dhe Dalila”.