Është koncerti i parë Orkestrës për këtë sezon. Dhe ky rrugëtim ka nisur me dy profesionistë si dirigjenti, Antoine Marguier dhe violinistja Aiman Mussakhajayeva. Si zakonisht edhe ky sezon nis në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Por duke pasur parasysh zhvillimet e ditës së diel në veri të vendit, koncerti ka nisur me një minutë heshtje në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.
Më pas mbrëmja ka filluar me Koncertin për violinë në D-mol të kompozitorit Aram Khachaturian. Vepra e viteve ’40 të shekullit të kaluar është mjaft vibrante. Zbërthimin e lojës e bën edhe më të veçantë koncertmjeshrtja nga Kazakistani Aiman Mussakhajayeva. Në veprën ku vërehet edhe ndikimi i muzikës tradicionale armene, Orkestra e Filarmonisë nën dirigjimin e Antoine Marguier ka bërë që ajo të zbërthehet në detaje për publikun e numërt në sallë. Pikat kulmore e veprës i kanë dhënë tjetër jehonë sallës që gjithmonë është e mangët sa u përket krejt aspekteve. Dhe ky fakt nuk i shpëton kurrë asnjë dirigjenti.
“Është gjithmonë kënaqësi të luaj me Filharmoninë e Kosovës pasi anëtarët e kësaj Orkestre janë vërtet të motivuar dhe duan të bëjnë më të mirën që munden. Është vërtet kënaqësi të punosh me njerëz energjikë, sidomos pas një jave si kjo, ku kemi punuar shumë, kemi ushtruar shumë dhe kjo është më të vërtetë një arritje. Kjo Orkestër më të vërtetë ka nevojë për një sallë reale koncertesh, një auditorium që do të ishte në përputhje me nivelin e tyre. Ata dhe audienca meritojnë një vend me akustikë koncertesh, pasi kjo hapësirë nuk është me akustikë reale për koncerte”.
Pas pauzës së pjesës së parë, anëtarët e Orkestrës janë kthyer pranë instrumenteve për t’u zhvendosur në një tjetër periudhë muzikore, atë të shekullit XIX. Simfonitë e gjermanit Johannes Brahms në E-mol. Bëhet fjalë për veprat e shkruara në fund të karrierës së njërit prej kompozitorëve më të njohur evropianë. Luhen gjithandej nga orkestrat botërore. E nën dirigjimin e Antoine Marguierit, ato kanë sjellë tjetër frymë të klasikes në Sallën e Kuqe. Ishin edhe një lloj testi për Orkestrën në fillim të sezonit.
Pavarësisht ngjarjeve të së dielës, salla ishte plot, duke dëshmuar se Orkestra e Filharmonisë së Kosovës rrit audiencën çdo ditë.