EXPRESS

Filharmonia në pasion me violinën e madhështinë e Rachmaninoffit

Ulëset nuk kanë qenë të mjaftueshme për publikun e Filharmonisë së Kosovës në koncertin e parë për sivjet, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe me soliste violinisten Abigeila Voshtina në interpretim të “Koncert për violinë nr.1” të Max Bruchit. Me veprën “Ishullin e të vdekurve”, Filharmonia nuk ka sjellë vetëm betejën për jetë e vdekje, por mbi të gjitha madhështinë e Sergei Rachmaninoffit nëpërmjet kësaj kryevepre të synuar kaherë

Filharmonia e Kosovës e ka nisur rrëfimin muzikor këtë vit me vepra që shpalosin bukurinë e fuqinë e tingullit me vepra sa unike, aq sfiduese. Nën drejtimin e mjeshtrit italian Jacopo Sipari di Pescasseroli e me soliste violinisten e shquar Abigeila Voshtina, koncerti ka qenë edhe si rrëfim poetik mbi jetën e vdekjen ku notat pikturohen me përplot emocion

Derisa institucioni shtetëror i muzikës klasike sjell rrëfim të ri muzikor, kushtet mbesin të njëjta. Çdo protagonist i ri e vepra të reja, as edhe një ndryshim në infrastrukturë. Kërkesa për sallë të re ka qenë edhe e solistëve të koncertit të së premtes mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Aty më pak se dy metra e ndajnë orkestrën nga publiku.

Në këto kushte nisi edhe ky vit për Filharmoninë e Kosovës, në sallën për të cilën institucioni është qiraxhi.

Koncerti nisi me uverturën “Finlandia” të finlandezit Jean Sibelius që konsiderohet himn për vendin e kompozitorit – Finlandën.

“Koncerti për violinë nr.1” i kompozitorit gjerman Max Bruch e ka sjellë për të parën herë violinisten shqiptare Abigeila Voshtina në një koncert të Filharmonisë së Kosovës.

Loja qendrore, ajo e solistes, hap tema të reja, transformohet, por Orkestra, si hije prapa e mban rrëfimin fillestar në linjë. Ajo edhe heshtet duke u zhvilluar vetëm tingujt e violinës së Voshtinës.

Ajo ka thënë se vepra është koncert komplet që është përherë sfidues.

“Është një vepër që duket si vëllai më i vogël i koncerteve të mëdha siç është Tchaikovsky, Brahms ose si Sibelius. Është një vepër e cila në brendësinë e saj, për 25 minuta sa luhet, ka gjithçka, duke filluar që nga bukuria e tingullit, te katabiliteti i kohës së dytë i cili tregon gjithë pasionin dhe emocionin që një violinist mund të ketë dhe teknikën solide që kërkon koha e tretë me gjithë precizitetin”, ka thënë Voshtina.

Për të, kontrasti me Orkestrën janë kushtet.

“Duhet të jeni krenarë për Orkestrën që keni dhe do të ju lutesha të keni një sallë më të mirë”, ka deklaruar tutje Voshtina.

Në pjesën e dytë të koncertit është luajtur “Ishulli i të vdekurve” i Sergei Rachmaninoff. Vepra nis me tensionin e vazhdueshëm e përfshirja e harpës është veçanti. Poema simfonike është e frymëzuar nga piktura me të njëjtin titull, e zviceranit Arnold Böcklin.

Dirigjenti italian Jacopo Sipari di Pescasseroli e ka vlerësuar veprën si të mahnitshme dhe të duhurën për ta inspiruar secilin, edhe muzikantët. E konsideron si një lloj lufte midis jetës dhe vdekjes.

“Vepra e Rachmaninoff mendoj se mundohet të përshkruajë, sikurse ka mundur të dëgjohet nga Orkestra, tingujt e valëve të lumit që çon shpirtrat në ferr. Janë tingujt e harkorëve që përshkruajnë këto valë. Në fund është edhe shpresa për jetën pas vdekjes. Kjo është një prej kryeveprave të Rachmaninoff. Ne jemi munduar të përshkruajmë këtë lloj programi duke e lidhur me emocionet e publikut”, ka thënë ai.

Derisa ka thënë se dhënia e emocionit është sekreti i çdo koncerti të suksesshëm, ka vlerësuar potencialin e Orkestrës. Është shprehur i befasuar.

“Është hera e parë për mua në Kosovë, por kam ndier emocion të madh. Isha shumë i befasuar me Orkestrën, pasi ata janë muzikantë të jashtëzakonshëm dhe e ndiejnë muzikën në një mënyrë të jashtëzakonshme. Mund të kontaktoj me ta sido që të jetë, ata kuptojnë lehtë. Midis audiencës dhe Orkestrës ka gjithmonë emocion. Ishte shumë bukur të punoja këtu dhe e ndjeva thellësisht”, u shpreh tutje ai.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se programi është shumë kërkues dhe se jo shpesh programohet një i tillë nëpër sezonet e orkestrave filharmonike.

“Më vjen mirë jashtëzakonisht shumë që ‘Ishulli i të vdekurve’ i Rachmaninoffit që është një prej veprave që prej kohësh kemi menduar ta sjellim në kuadër të programit të Filharmonisë. E kemi realizuar këtë herë. Është një prej veprave që konsideroj se e shpërfaq madhështinë e një kompozitori gjenial që nga një motiv arrin të zhvillojë një kryevepër muzikore”, ka thënë Selimaj.

Koncertin e radhës Filharmonia e mban në Prizren, në “Autostrada Hangar” më 24 janar. Kori me Ansamblin Harkor dhe të Perkusioneve do të interpretojë vepra nga Kushtrim Gashi, Vasil S. Tole, Hajrullah Syla, Rafet Rudi, si dhe nga dy kompozitorë amerikanë: Jake Runestad dhe Eric Whitacre. Koncerti do të dirigjohet nga Hajrullah Syla.